Neville: Manchester United bëri mirë që ia shkëputi kontratën Ronaldos, ishte gjë e pashmangshme
Gary Neville e ka përkrahur vendimin e klubit për t’ia shkëputur kontratën Cristiano Ronaldos. Ai një gjë të tillë e tha sot në cilësinë e panelistit në “Sky Sports”.
Pak ditë pas publikimit të intervistës të Cristiano Ronaldos për gazetarin britanik Piers Morgan, kur ai sulmonte me kritika trajnerin Ten Hag dhe ambientin e klubit të Manchester Unitedit – këta të fundit morën vendim që t’ia shkëputnin kontratën.
Një vendim që për hir të vërtetës u tha se ishte marrë me një marrëveshje të dyanshme, pasi edhe për vetë pesë herë fituesin e Topit të Artë ishte situata më e përshtatshme.
Edhe dikush tjetër mendon se nuk ka pasur zgjedhje alternative. Ish-mbrojtësi anglez i Manchester United, Gary Neville, edhe një herë është kthyer të flasë në lidhje me këtë çështje. Ai ishte i ftuar në “Sky Sports” për ta analizuar ndeshjen e Kupës Carabao mes Manchester Unitedit dhe Burnleyt, që u mbyll 2:0 për vendësit.
“Kishin nevojë që ta mbyllnin si çështje dhe këtë e zgjidhën mjaft shpejt. Besoj që ka qenë gjëja më e mirë për të dy palët”, shtoi Neville.

Sidoqoftë, Neville shpreh keqardhje për mënyrën se si rodhën gjërat për Ronaldon. Duke portugezi ka qenë ish-bashkëlojtar i tij në vitet e arta me Ferguson. Neville uron që ylli portugez të këtë fat gjetiu, kudo që do të vendosë që ta vazhdojë karrierën si futbollist.
“Është trishtuese që ka përfunduar kështu, por ishte e pashmangshme. Shpresoj që Ronaldo të vazhdojë të luajë gjetiu dhe të bëjë paraqitje vërtet të mira, ashtu sikurse edhe Manchester United të mund të ecën tutje me Ten Hag”, theksoi Neville.
Ronaldo u kthye në Manchester United në verën e vitit 2021. Në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, para se të niste sezoni 2021/2022, vendoste që të mos i bashkohej Manchester Cityt, por që ta bënte një rikthim në “Old Trafford”.
Një rikthim që u mundësua edhe falë kërkesës së Ferguson, i cili e luti që mos të shkojë te Manchester City, gjithmonë nëse bazohemi në rrëfimin e lojtarit, ndonëse zyrtarët e kampionit anglez disa herë kanë mohuar që kanë qenë të interesuar për shërbimet e tij.

Gjithsesi, me fanellën e Manchester United ndërkohë ai zhvilloi 40 paraqitje, ku shënoi 19 gola. Një mesatare jo e keqe, por që u mbyll me një fund aspak të lavdishëm.
Një fund i dhimbshëm te Manchester United
Zënkat dhe pakënaqësitë me Ten Hag ishin të mëdha prej kur ai mori drejtimin e skuadrës. Me ardhjen e tij, Ronaldo nuk figuroi më si titullar.
Një gjë e tillë nuk u prit aspak mirë nga Ronaldo. Një herë u pezullua nga skuadra, pasi u largua pak minuta para përfundimit të ndeshjes kundër Tottenham, të cilën Manchester United e fitoi 2:0. Kjo gjë ndodhi më 20 tetor, kur ai nuk priti fundin e ndeshjes për t’iu gëzuar fitores, pasi ishte i pakënaqur për mosinkuadrimin në fushë.

Ndërsa më vonë, pak ditë pasi përfundoi faza e parë e sezonit, zgjodhi gazetarin britanik Morgan për t’iu rrëfyer, duke e gozhduar me kritika klubin e tij.
Kështu, vetëm pak ditë kaluan dhe u zyrtarizua shkëputja e kontratës. Tani Ronaldo është futbollist i lirë. Me shumë mundësi ai do t’i bashkohet njërës prej skuadrave arabe. Al Nassr për momentin është favoriti kyç për t’i siguruar shërbimet e tij.


