Al Nassr po punon që ta zyrtarizojë Ronaldon brenda fundvitit
Klubi nga Arabia Saudite, Al Nassr, është duke punuar gjatë këtyre ditëve për t’i bërë vend Cristiano Ronaldos. Drejtuesit arabë synon ta zyrtarizojnë afrimin e yllit portugez brenda fundvitit.
Me klubet elitare evropiane që tani për tani duken të pa interesuara për ta blerë kartonin e tij, Cristiano Ronaldo është zhvendosur në Dubai për disa ditë pushimi. Sidoqoftë, ai vështirë se do të rikthehet gjatë ditëve në vazhdim në Evropë.
Kjo pasi drejtuesit e Al Nassr këto ditë janë duke punuar për t’i bërë disa largime nga organika, për t’ia mundësuar kështu një vend Ronaldos në ekip. Një lajm i tillë kumtohet nga burimet e gazetës spanjolle “Marca”.

Drejtuesit arabë presin që ta zyrtarizojnë pesë herë fituesin e Topit të Artë si pjesë të tyre deri më 31 dhjetor. Pra, brenda dhjetë ditëve janë besimplotë që diçka e tillë do të arrihet.
Vala e spastrimeve në pritje të Ronaldos
Al Nassr është duke larguar disa futbollistë që të jetë tërësisht gati për ta angazhuar yllin portugez. Kështu, klubi arab ka vendosur që t’i largojë Pitty Martinez dhe Masharipov.

Madje, nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditëve në vijim edhe disa lojtarë të tjerë të largohen nga skuadra. Në Ryad janë gati për t’i uruar mirëseardhje Ronaldos.
Oferta në tavolinë me kontratë trivjeçare është e pranishme tani e disa javë. Përfaqësuesit e futbollistit akoma nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare.
Megjithatë, një marrëveshje në parim sipas “Marca” është arritur prej kohësh, në pritje të një përgjigje të prerë përfundimtare, e cila do të mund të bënte që Ronaldo të udhëtonte në drejtim të Ryadit për ta kompletuar transferimin.
37-vjeçari nuk synon që të pensionohet nga futbolli. Diçka të tillë ai nuk dëshiron ta bëjë as me kombëtaren portugeze.

Sipas tij akoma nuk ka shkruar të gjitha faqet e historisë me fanellën e Kombëtares së Portugalisë. Synimi i tij është që të vazhdojë edhe më tej.
Ishte vetë “Marca” dje që raportoi se ai i ka vënë një tjetër objektiv vetes, që të jetë i gatshëm për të luajtur edhe në Kupën e Botës të vitit 2026, edhe pse do të jetë 41-vjeç.
Ky vit për Ronaldon ka qenë i vështirë në të gjitha sferat. Në Manchester United ka hasur në një mal problematikash, disa prej tyre të shtyra nga vetë ai. Ndërkaq Kupa e Botës e fundit në Katar ishte kulminacioni i një viti ters për të, që nuk përmbushi aspak pritjet e zakonshme që ka.

