“Duam të kthemi me rezultat pozitiv në Kosovë”, Daja dhe Rrahmani paralajmërojnë Sivassporin
FC Ballkani kërkon së paku një pikë në sfidën e nesërme ndaj Sivassporit, për xhiron e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, kështu se paku deklaruan trajneri Ilir Daja dhe qendërsulmuesi Albion Rrahmani.
Në konferencë për shtyp, si Daja ashtu edhe Rrahmani treguan se e dinë nivelin e lartë të skuadrës turke.
Tekniku shqiptar konfirmoi mungesën e tre futbollistëve, por beson që lojtarët e tjerë që do të luajnë nga minuta e parë do ta tregojnë kualitetin.
"E dimë që nesër do të jetë vështirësia pasi përballë kemi ekipin e Sivarssporit që janë vendas dhe së bashku me Slavia Praha kryesojnë në tabelë. Ne pavarësisht pikëve të fituar, në aspektin e lojës kemi bërë të mira. Ajo që do të jetë vështirësi është mungesat në formacionin e parë, por ana e mirë është që lojtarët që do jenë në formacionin bazë do të kenë fatin të tregojnë vetën ndaj një kundërshtari si Sivarsspori".
"Përveç moshës dhe eksperiencës në kampionatin turk, kanë eksperiencë në përballjet e Evropës, ndërsa ne jemi të rinj jo vetëm në moshë, por është hera e parë që marrim pjesë në Ligën e Konferencës. Nesër ndoshta do të kemi një ku eksperienca e lojtarëve do të përballet me energjinë e lojtarëve të mi dhe një përplasje e tillë do të vlerësojë edhe spektaklin në stadium".
I pyetur se cilët janë futbollistët që mungojnë, Daja nuk zbuloi emrat përmes Astrit Thaqit që tashmë dihet që është i suspenduar, pasi u ndëshkua direkt me të kuq në ndeshjen e fundit ndaj Slavia Prahës.
"Kemi dy apo tre lojtarë që nuk do të jenë nesër, që janë lojtarë të rëndësishëm në formacionin tonë. Ajo që është e deklaruar është mungesa e Thaqit (Astrit), që është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e kaluar me Slavia Praha. Sigurisht lojtarët vetëm do të motivohen edhe më shumë se në ndeshjet në kampionat".
Ndërkohë, qendërsulmuesi Rrahmani theksoi se kanë kryer “detyrat e shtëpisë”, duke organizuar kundërshtarin e tani duan rezultat pozitiv.
"Është kënaqësi që bëjmë gara në kompeticion. Jemi në rrethin e tretë dhe shpresoj që nesër të dalim me një rezultat pozitiv. Kemi përballë një skuadër si Sivarsspori që ka kualitet dhe pse jo që të mos marrim rezultat pozitiv".
"Patjetër që e kemi organizuar se bashku me trajnerin. I dimë të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të tyre, Sivarsspor është një ekip me mjaftë përvojë me lojtarë cilësorë, por ne shkojmë që të japim 100 për qind dhe të marrim rezultat pozitiv, e të mos kthehemi në Kosovë së paku pa një pikë".
Për fund, kujtojmë se ndeshja zhvillohet nesër me fillim nga ora 18:45.