Drita pëson humbje në udhëtim te Auda, ndeshja e kthimit në Fadil Vokrri vendimtare për Intelektualët - NACIONALE

Drita pëson humbje në udhëtim te Auda, ndeshja e kthimit në Fadil Vokrri vendimtare për Intelektualët

1 muaj më parë

nga NACIONALE

FC Drita ka pësuar humbje 1:0 në udhëtim te Auda, në kuadër të kualifikimeve për Ligë të Konferencës në rrethin e tretë, dhe ndeshja e kthimit në Fadil Vokrri do të jetë vendimtare për Intelektualët.

Skuadra letoneze, Auda, ishte për një nuancë më e mirë në pjesën e parë ku edhe arriti të shënonte, teksa në 45 minutat në vazhdim u zhvillua lojë më e barabartë.

Në pjesën e parë Intelektualët nuk u treguan asnjëherë të rrezikshëm pranë portës, ndërsa vendasit gjuajtën tre herë në drejtim të Faton Malokut, një herë për ta mposhtur.

Ishte Tavares që shënoi në minutën e tetë një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, për rezultatin 1:0.

Në pjesën e dytë nuk pati gola nga asnjëra skuadër, me të dyja që patën nga një tentim, teksa Auda goditi në një rast edhe shtyllën duke iu afruar shumë dyfishimit të epërsisë.

Me humbjen 1:0 të Dritës, tani gjithçka do të vendoset në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Përballja e kthimit për një vend në play-off të Ligës së Konferencës zhvillohet më 15 gusht, me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme