Drita dhe Dukagjini synojnë befasinë në Evropë
Drita dhe Dukagjini do të tentojnë të bëjnë befasi ndaj Viktoria Plzenit, respektivisht Rijekës, për rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Nënkampionin e Kosovës e pret një sfidë tejet e vështirë ndaj gjigantit çek, të cilët janë favorit të padiskutueshëm.
Edhe trajneri Akis Vavalis e pranoi në konferencë për shtyp se Plzen ka eksperiencën më të madhe, sidoqoftë Drita do të tentojë të bëjë befasi.
“Drita po luan në çdo vjet në skenën evropiane dhe ka shfaqur ndeshje të mëdha. U ka shkaktuar probleme skuadrave kundërshtare. Duke marrë për bazë këtë, presim njësoj që edhe Viktoria Plzenit t’i shkaktojmë probleme”.
Përndryshe, përballja zhvillohet në stadiumin “Doosan Arena” dhe do të nis me fillim nga ora 19:00.
Ndërsa, Dukagjini gjithashtu do ta ketë të vështirë ndaj gjigantit kroat Rijeka.
Skuadra nga Klina pasi eliminoi Europan, synon një tjetër ‘mrekulli’ – mirëpo që kuptohet se nuk do ta ketë aspak të lehtë.
Trajneri Armend Dallku në konferencë për shtyp të mërkurën tha se me disiplinë të hekurt do të tentojnë të marrin rezultat pozitiv.
“Kështu që për neve ka qenë esenciale. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi arritur në turin e dytë dhe shpresojmë të bëjmë paraqitje të mirë, t’i kënaqim ata tifozë që do të vijnë. Me disiplinë shumë të hekurt sa i përket anës tonë, për këto ditë sa kemi pasur mundësi të kërkojmë nga lojtarët tonë, të dalim me rezultat pozitiv”.
