Drilon Hajrizi e viziton KB Trepçën, rikthimi i tij në klub më shpejt se sa pritej
Kohë më parë u raportua se Drilon Hajrizi po përballet me një infeksion, diçka që nuk u konfirmua asnjëherë nga klubi i tij, ndonëse reaguan edhe nga FBK e edhe klubet tjera vendore.
Tani siç duket, njëri nga basketbollistët më të mirë ndonjëherë të Kosovës, do të kthehet më shpejt se sa pritej për Trepçën, të paktën kështu ka shkruar klubi në rrjetet sociale.
Hajrizi pritej të mungonte për një kohë të gjatë, teksa paraqitja e tij në Superkupë as nuk bëhet fjalë, por lideri i skuadrës mitrovicase nuk e ka ndërmend të qëndrojë edhe aq gjatë larg ekipit.
Ai sot ka vizituar skuadrën e tij, që ditë më parë e përfunduan fazën përgatitore në Podgoricë me tri fitore të njëpasnjëshme.
Postimi i plotë i KB Trepçës
Me vizitën e tij sot na ka gëzuar kapiteni i skuadrës, Drilon Hajrizi.
Driloni ka pasur një sfidë shëndetësore që po e kalon gradualisht.
Vizita e tij sot në klub është dëshmi që sfida shëndetësore i takon së kaluarës.
Sot jemi të lumtur t’u njoftojmë që liderin e ekipit e presim së shpejti në radhët tona.
Së bashku drejt sukseseve të reja.
Për TREPÇËN që na bënë krenarë të gjithëve.
Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, Drilon Hajrizi vuante nga infeksioni i quajtur 'Meningitis' që është inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore.
Ende nuk dihet se ne çfarë faze të rikuperimit është ai, por rehabilitimin e ka bërë në Tiranë, pasi si sëmundje nuk trajtohet në Kosovë ende.