Drejtori i Norwich Cityt: Do ta shesim Milot Rashicën gjatë verës
Drejtori sportiv i Norwich Cityt, Stuart Webber ka konfirmuar se sulmuesi Milot Rashica mund të shitet gjatë afatit veror.
Ylli kosovar ka shkëlqyer që kur iu bashkua Galatasarayt në formë huazimi, me skuadrën turke që dëshiron ta blejë por ka edhe disa klube që duan shërbimet e këtij të fundit.
Së fundmi, drejtori i Norwichit Webber ka bërë me dije se Rashica do të shitet gjatë afatit kalimtar veror pasi nuk dëshiron rikthimin te klubi anglez shkaku i edicionit që kaloi.
"A do ta shesim Rashicën? Po. Ai nuk do të donte që të rikthehet dhe të luaj në Championship. Ai ka kaluar një sezon të mirë te Galatasaray. Janë disa klube të interesuara. Nëse do të ketë një ofertë që na përshtatet, ai mund të shitet", deklaroi ai.
26-vjeçari ka luajtur 34 ndeshje në të gjitha garat për Galatasarayn këtë edicion, duke kontribuar me gjashtë gola dhe shtatë asistime.
Kujtojmë, Rashica javë më parë në një intervistë për "Fanatik" konfirmoi se dëshiron të qëndrojë te Galatasaray andaj s'po konsideron oferta të tjera.
“Jam shumë i lumtur këtu. Jemi të fokusuar në kampionat dhe dua të kontribuoj që t’i ndihmoj skuadrës në nivelin më të lartë. Prioriteti im është qëndrimi te Galatasaray. Nuk dua të vlerësoj asnjë ofertë për momentin”.
Gjatë muajit të kaluar u raportua për një marrëveshje në princip mes Burnley dhe Norwichit për Rashicën për 11 milionë funte, por s'ka asgjë zyrtare.
