“Dua të qëndroj te Galatasaray”, Milot Rashica thyen heshtjen mbi të ardhmen - NACIONALE

“Dua të qëndroj te Galatasaray”, Milot Rashica thyen heshtjen mbi të ardhmen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Galatasaray, Milot Rashica ka thënë se është shumë i lumtur te gjiganti turk, andaj synon të qëndrojë edhe për vitet e ardhshme.

E ardhmja e kosovarit vazhdon të jetë në dyshime pasi është vetëm huazim te Galatasaray, skuadër kjo tek e cila ka shpërthyer këto muajt e fundit.

Javëve të fundit është raportuar se Burnley ka arritur marrëveshje me Norwichin për shërbimet e Rashicës, derisa interesim ka shprehur edhe rivali turk Fenerbahce.

Sidoqoftë, në një intervistë për “Fanatik”, anësori ka treguar se preferon të qëndrojë te Galatasaray prandaj edhe nuk po i konsideron ofertat e tjera.

Jam shumë i lumtur këtu. Jemi të fokusuar në kampionat dhe dua të kontribuoj që t’i ndihmoj skuadrës në nivelin më të lartë. Prioriteti im është qëndrimi te Galatasaray. Nuk dua të vlerësoj asnjë ofertë për momentin”, deklaroi ai.

Raporti i mediumit turk thotë se Galata është duke provuar ta bind Norwichin për shitjen e kosovarit në një marrëveshje 5 milionë euro.

“Marca” ditë më parë bëri me dije se Burnley ka një marrëveshje në princip me klubin anglez për 11 milionë funte, prandaj nëse rezulton të jetë e vërtetë atëherë do t’ia vështirësojë punët kosovarit për qëndrimin në Turqi.

Burnley, ku ndodhet edhe Arijanet Muric, është rikthyer në elitën e futbollit anglez andaj po synon përforcime nën urdhrat e Vincente Kompany, me teknikun belg që e pëlqen ish ‘raketën’ e Werder Bremenit.

Lajme të ngjashme