Dramë me pesë gola, Chelsea fiton me vështirësi ndaj Luton Town
Që nga muaji tetor Chelsea nuk kishte shijuar seri prej dy fitoreve radhazi në premierligë. Këtë e ka arritur sot, duke fituar me shumë vështirësi ndaj Luton Town 3:2 në udhëtim.
Tre ditë më parë fituan në minutat e fundit ndaj Crystal Palaces, ndërsa sot ishte fati në anën e tyre, pasi vendasit u aktivizuan në minutat e fundit për të shkaktuar telashe të mëdha.
Të kaltrit e Londrës ishin më të mirë për një nuancë gjatë 90 minutave lojë.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 12-të kur Cole Palmer shënoi për 1:0.
Noni Madueke dyfishoi epërsinë tetë minuta pa shkuar në pushim, me rezultatin 2:0 që përfundoi pjesa e parë.
Një veprim individual i jashtëzakonshëm nga Palmer, duke kaluar disa futbollistë në zona të ngushta, bëri që ai të shënonte golin e dytë personal dhe të rezulatit 3:0 në minutën e 70-të.
Reagimi i parë nga Luton erdhi në minutën e 74-të, kur Adebayo çoi topin në rrjetë, por VAR anuloi golin për pozitë jashtë loje.
Gjashtë minuta më vonë, ish-lojtari i Chelseat, Ross Barkley shënoi për të ngushtuar rezultatin në 3:1.
Teksa për rezultatin përfundimtar 3:2 shënoi Adebayo në minutën e 87-të, që i futi frikën skuadrës së Pochettinos, të cilët në minutat e fundit u mobilizuan në vijën e fundit, për t'u mos u shkaktuar ndonjë befasi.
Për Chelsean kjo është hera e parë që nga muaji tetor që fitojnë dy ndeshje radhazi në kampionat dhe tani ata avancojnë në vendin e 10-të me 28 pikë në 20 ndeshje, ndërsa Luton Town gjendet në vendin e 18-të.