Dorëzohen Anglia e Zvicra: Xhaka dhe Kane s’e bartin shiritin e kapitenit në përkrahje të LGBTQ+ në Katar - NACIONALE

Dorëzohen Anglia e Zvicra: Xhaka dhe Kane s’e bartin shiritin e kapitenit në përkrahje të LGBTQ+ në Katar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Anglia, Zvicra dhe pesë kombëtaret e tjera nuk do ta bartin shiritin e kapitenit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës në Katar, pavarësisht zotimeve të mëhershme.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës Granit Xhaka dhe kapitenët e gjashtë ekipeve të tjera kombëtare ishin zotuar se do ta bartnin shiritin me mbishkrimin “OneLove” (Një dashuri) gjatë ndeshjeve në Katar në përkrahje të komunitetit LGBTQ+ dhe kundër diskriminimit.

Megjithatë, të hënën në mëngjes, Zvicra, Anglia, Uellsi, Belgjika, Danimarka, Gjermani dhe Holanda njoftuan se e kanë tërhequr vendimin, pasi FIFA ua bëri me dije se kapitenët që bartin atë shirit do të ndëshkoheshin me karton të verdhë në fillim të ndeshjes.

“Ne nuk mund t’i fusim lojtarët tanë në një gjendje ku ata mund të ndëshkohen me karton apo edhe të detyrohen të largohen nga fusha e lojës”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre kombëtareve.

Ne jemi të zemëruar me vendimin e FIFA-s, për të cilën besojmë se është i paprecedent. Lojtarët dhe trajnerët tanë janë të zhgënjyer- ata janë përkrahës të fuqishëm të gjithëpërfshirjes dhe ne do ta shfaqim përkrahjen në forma të tjera”, thuhet tutje në njoftim.

Përdorimi i këtij shiri, një nismë e holandezëve, kishte për synim shfrytëzimin e fuqisë së futbollit për ta promovuar gjithpërfshirjen dhe për të dërguar mesazh të qartë kundër diskriminimit.

Një zemër me ngjyra të ndritshme dhe me përshkrimin “Një Dashuri”, ky shirit planifikohej të bartej nga kapitenët e ekipeve kombëtare gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar.

Xhaka, mesfushori nga Kosova që e përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare, kishte thënë se do ta barte me krenari këtë shirit gjatë ndeshjeve të kombëtares helvetike në Katar.

Si ekip, ne ngrihemi në këmbë për tolerancë, respekt dhe solidaritet. Ne duam t’ua kujtojmë të gjithëve se të gjithë jemi të barabartë dhe duam të trajtohemi barabartë”, kishte thënë Xhaka muaj më parë.

Lajme të ngjashme