Dominoi në të gjitha garat, KB Trepça shpallet ekipi më i mirë në Kosovë nga FBK
KB Trepça është shpallur skuadra më e mirë në Kosovë nga Federata e Basketbollit të Kosovës, në mbrëmjen ku zgjedhen 'Laureatët 2024'.
Ky çmim për skuadrën mitrovicase është plotësisht i merituar, pasi dominoi tërësisht basketbollin kosovar, duke fituar të gjithë titujt e mundshëm gjatë vitit kalendarik.
KB Trepça u shpall kampione e Kosovës në maj të këtij viti, për herë të parë që nga viti 2012, duke mposhtur Golden Eagle Yllin pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.
Pas Superligës, Trepça triumfoi në Kupë të Kosovës, duke e mposhtur Prishtinën, në përballjen që u zhvillua në Gjakovë.
Sigal Prishtinën e mposhti edhe në Superkupë, në ndeshjen që u zhvillua në Prizren në palestrën Sezai Surroi, në muajin shtator të këtij viti.
Në Vlorë të Shqipërisë, KB Trepça triumfoi në Ligën Unike, duke e mposhtur Golden Eagle Yllin, që ishte trofeu i parë për mitrovicasit në këtë garë.
Krejt këto tituj të fituar, bënë që KB Trepça me shumë të drejtë të shpallet skuadra më e mirë për vitin 2024 nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Trepça e ka nisur shumë mirë edhe sezonin e ri të garave, pasi gjendet në vendin e parë në Superligë pas 12 xhirove të zhvilluara, teksa ka avancuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pas fitores bindëse në dy çerekfinale ndaj Proton Cable Prizreni.