Ditë e madhe për xhudon kosovare, Kosova i fiton katër medalje - NACIONALE

Ditë e madhe për xhudon kosovare, Kosova i fiton katër medalje

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Për herë të parë një kampionat evropian i xhudos u mbajt në Kosovës dhe xhudistët kosovar e bënë atë që pritej, duke i fituar në total katër medalje, tri prej të cilave ishin të bronzta dhe një e artë e Akil Gjakovës.

Sot ishte ditë e madhe për shtetin e Kosovës, katër krenaritë u paraqitën në mënyrë të jashtëzakonshme duke ia zdritur edhe një herë shtetit tonë fytyrën.

Në Evropianin e Hapur që u mbajt në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, katër garues nga Kosova morën pjesë, në dy kategori sa ishin krejtësisht.

Nora Gjakova e Distria Krasniqi ishin në kategorinë deri në 57 kilogram, ndërsa Dardan Cena e Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogram.

Përkundër që Distria nuk garoi në peshën e saj, por në atë me pesë kilogram më shumë se zakonisht, ajo arriti sukses të madh.

E filloi mirë duke fituar ndeshjen e parë pas shtatë sekondave, por u ndal në gjysmëfinale nga izraelitja Nelson Levy, kështu për ta vazhduar rrugën drejt medaljes së bronztë nëpërmjet repesazhit.

Aty u përball me sllovenen Kaja Kajzer, ku garuesja jonë dominoi dhe në fund triumfoi, duke fituar të bronztën.

Nora e vazhdoi rrugën e medaljeve. Ajo pati një garë më shumë për dallim nga Distria, ku fitoi dy përballje radhazi dhe u kualifikua në gjysmëfinale, por Eteri Liparteliani e cila në fund ishte e artë, e eliminoi Norën, por kjo e fundit vazhdoi në repesazh.

Gjakova në finale të repesazhit fitoi ndaj francezes me shumë përvojë Priscilla Gneto, për ta rrëmbyer medaljen e bronztë.

Befasia më e ëmbël e këtij kampionati padyshim që ishte Dardan Cena.

Cena ishte thjesht i jashtëzakonshëm. Numri 241 i botës bëri diçka fantastike, duke arritur ta fitojë të bronztën, e kjo rrugë për të ishte shumë e gjatë.

I zhvilloi pesë beteja, nga të cilat katër i fitoi dhe në secilën luftë u përball me garues më të fortë se aj në ranglistën botërore.

Në fund në finale fitoi ndaj Petru Pelivanit, numrit nëntë të botës dhe u stolis me medalje të bronztë.

Ndërsa suksesin më të madh të ditës e arriti Akil Gjakova. Numri 23 i botës ishte i jashtëzakonshëm, ku në pesë gara sa zhvilloi i fitoi të gjitha dhe rrugës mposhti numrin një të botës.

Në finale u përball me numrin shtatë të botës, Manuel Lambardo nga Italia, të cilin në kohën shtesë, e mposhti me një lëvizje fantastike, për t’u kurorëzuar me të artën e shumëkërkuar nga ai.

Epilogu final për Kosovën ishte katër medalje nga katër garues. Tre medalje të bronzta dhe një të artë, për të përmbyllur një Evropian shumë të suksesshëm për shtetin e Kosovës, që mbi të gjitha u zhvillua në kryeqytetin tonë, në Prishtinë.

Lajme të ngjashme