Krenaritë e Kosovës, Distria e Nora fitojnë medalje të bronztë në Evropianin e Hapur të Xhudos - NACIONALE

Krenaritë e Kosovës, Distria e Nora fitojnë medalje të bronztë në Evropianin e Hapur të Xhudos

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi e kanë vazhduar suksesin e madh të Dardan Cenës, me të dyja garueset kosovare që fituan medalje të bronztë me anë të repesazhit në Evropianin e hapur që po mbahet në Prishtinë, në kategorinë deri në 57 kilogram.

Nora Gjakova ishte fantastike deri në gjysmëfinale. Fillimisht e mposhti Matikainen nga Finlanda, për të kaluar në çerekfinale, aty ku pastaj u përball me garuesen nga Sllovenia Kaja Kajzer, të cilën e mposhti në Golden Score me një Waza-ari, për të arritur në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale garuesja nga Kosova nuk ishte në formën e zakonshme të saj, me garuesen Eteri Liparteliani që e zuri në një pozitë jo të mirë, apo siç quhet në xhudo OSAEKOMI, lëvizje kjo që ja humbi ndeshjen Gjakovës, por lufta e saj për medalje nuk përfundoi aty, pasi përmes repesazhit e kërkoi të bronztën.

Medalja e shumëkërkuar erdhi për Norën, ku në finale të repesazhit e mposhti në Golden Score me Ippon garuesen nga Franca Priscilla Gneto, për të fituar të bronztën.

Të njëjtën rrugë e bëri edhe Distria Krasniqi. Ajo garën e parë e fitoi brenda shtatë sekondave, për t'u kualifikuar direkt në gjysmëfinale, por aty u mposht nga Nelson Levy e Izraelit.

Në finale të repesazhit, në një luftë të gjatë, Distria me dominim fitoi ndaj Kaja Kajzer, për t'ia sjellë Kosovës medaljen e tretë të bronztë në këtë Kampionat Evropian të Hapur, që po zhvillohet në Prishtinë.

Akil Gjakova tani mbetet garuesi i fundit nga Kosova, i cili është në garë për medalje të artë dhe përballet me italianin Lambardo.

Lajme të ngjashme