Distria Krasniqi mposhtet nga Keldiyorova, por kthehet me medalje të argjendtë nga Tbilisi - NACIONALE

Distria Krasniqi mposhtet nga Keldiyorova, por kthehet me medalje të argjendtë nga Tbilisi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Distria Krasniqi e ka humbur mundësinë ta fitojë medaljen e artë në grand slamin e xhudos Tbilisi në Gjeorgji, pasi pësoi humbje nga xhudistja uzbeke Diyora Keldiyorova në finalen e së premtes.

Kampionia olimpike e Kosovës Krasniqi, megjithatë, do të kthehet në Kosovë me medaljen e argjendtë në kategorinë -52 kilogramë.

Në atë që ishte mbase finalja më e dobët në karrierën e saj të shkëlqyer, Krasniqi u hodh në dysheme nga uzbekja që shënoi pikën e parë wazzari, para se Keldiyorova ta hidhte edhe një herë në kokërr të shpinës për ta fituar luftën me ippon.

Kjo është medalja e dytë në turnetë grand slame këtë fillim vit për kosovaren, pas të artës që e fitoi në Paris, raporton Nacionale

Krasniqi është kampione në Tbilisi nga viti 2021, por në kategorinë -48 kilogramë.

27-vjeçarja pati një ecuri të përkryer deri në finale dhe ishte favorite për ta fituar të artën e dytë radhazi në kategorinë që e mbizotëron.

Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, kampionia olimpike nga Tokio 2020 e mposhti Charne Grieselen në rrethin e dytë dhe pastaj Amber Ryheulin në ndeshjen pasuese për të kaluar në gjysmëfinale.

Ajo nuk u përball me ndonjë vështirësi as në gjysmëfinale kundër Mascha Ballhausit, të cilën e mundi me ippon për të kaluar në finale.

Finalja ishte një luftë për t’u harruar për numrin tre të botës në kategorinë -52 kilogramë, pasi e nisi luftën shumë keq dhe e lejoi uzbeken të shënonte pikë me wazzari në çastet e para dhe pastaj ra në grackën e saj për prekur dyshemenë për herë të dytë brenda pak sekondave.

Keldiyorovas iu deshën vetëm 19 sekonda për ta mundur kosovaren.

Lajme të ngjashme