Dështon Dortmundi, Bayern Munich kampion i Gjermanisë për herë të 11-të rresht - NACIONALE

Dështon Dortmundi, Bayern Munich kampion i Gjermanisë për herë të 11-të rresht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bayern Munich është shpallur kampion i Gjermanisë për herë të 33-të në historinë e saj dhe të 11 herë radhazi, pasi në xhiron e fundit fitoi 2:1 ndaj Kolnit, por ndihmë më të madhe i bëri Borussia Dortmund e cila në stadiumin e saj barazoi 2:2 me Mainz, duke lëshuar mundësinë e artë nga dora.

Dortmund ishte lider në Bundesligë para se skuadrat të hynin në xhiron e fundit dhe me fitore do të shpallej kampione për herë të parë pas një dekade, edhe nëse Bayern Munich do të fitonte.

Ndeshja ndaj Mainz nuk filloi mirë për Dortmundin. Hanche-Olsen shënoi për mysafirët në minutën e 15-të për 1:0.

Nuk kishte si të shkonte më keq, kur Sebastian Haller gaboi nga penalltia në minutën e 19-të, për ta humbur mundësinë për ta barazuar rezultatin.

Këtë e shfrytëzoi Mainz, që në minutën e 24-të shënoi Onisiwo për rezultatin 2:0, me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë ishte dominim total nga Dortmund, kur u arrit ngushtimi i rezultatit 2:1 me golin e Guerreiros në minutën e 69-të.

Teksa Nicklas Sule shënoi në minutat shtesë për të barazuar rezultatin në 2:2, por që ishte e pamjaftueshme.

Dortmundi kështu lëshoi mundësinë e artë për titullin kampion, me Bayern Munich që shënoi fitore në anën tjetër me rezultat 2:1 në fund të takimit.

Në anën tjetër, skuadra e Thomas Tuchel ishte mysafire e Koln, skuadër kjo që nuk luftonte për asgjë. Kjo e bëri më të lehtë për bavarezët, ndonëse fituan me shumë vështirësi.

Ishte Kingsley Coman që në minutën e tetë shënoi një gol të jashtëzakonshëm, për epërsinë 1:0 të Bayern Munich.

Tensionet te Bayerni u rriten kur Ljubicic shënoi nga penalltia në minutën e 80-të, për të barazuar gjithçka.

Por kur krejt menduan se titulli po shkonte te Dortmund, në skenë doli Jamal Musiala që shënoi gol të bukur në minutën e fundit të takimit, për fitoren 2:1 dhe titullin kampion të 33-të në histori për Bayern Munich dhe të 11-tin radhazi.

Lajme të ngjashme