Deschamps: Fjalët e presidentit për Zidane ishin të pavenda, ai meriton respekt
Didier Deschamps ka komentuar temën më të nxehtë, atë të largimit të presidentit të Federatës së Futbollit të Francë, Noel Le Graet. Përzgjedhësi francez vlerësoi se Le Graet ka gabuar me deklaratat ndaj Zinedine Zidane, duke thënë se meriton respekt.
Mjaftuan disa fjalë për Zinedine Zidane në formë joadekuate, që Federata e Futbollit të Francës të merrte masat e duhura për shkarkimin e presidentit Noel Le Graet. Shkarkim ky që u kumtua gjatë ditës së sotme.
Vetë Deschamps duke folur për shtypin francez tha se komentet rreth Zidanet të bëra nga i pari federatës ishin tejet të pavenda, duke shtuar se Zidane meriton shumë respekt.
“Natyrisht se situata e krijuar ka bërë që të ketë rivalitet sportiv mes nesh. Mund të ju siguroj që si sot, si dje dhe për shumë vite tjera – kam pasur respekt të madh për të. Veçanërisht për atë se çfarë kemi përjetuar së bashku në momentet tona të para si futbollistë dhe në raport me atë se përfaqëson vetë futbollin dhe sportin francez”, tha Deschamps.
“Deklaratat e Le Graet, siç e ka pranuar edhe ai vetë, ishin të pavenda. E vlerësoj si diçka shumë të mirë që i ka kërkuar falje Zidane”, përfundoi Deschamps.
Le Graet për “RMC” kishte deklaruar se nuk do t’ia hapte telefonin Zidanet edhe po ta telefononte ai, në pyetjen nëse është interesuar që ta emëronte si përzgjedhës të Francës.
Reagim ky që ngjalli shumë debat e kritika në Francë. Ishte edhe vetë ylli më i madh i kombëtares franceze, Kylian Mbappe, ai që shkroi se Zidane është vetë Franca dhe se meriton të respektohet.
Për 81-vjeçarin nuk kishte mbetur gjë tjetër, vetëm se ta pranonte fatin e tij të ri, atë të divorcit me Federatën e Futbollit të Francës.
