Derbi i Londrës përfundon pa fitues, Arsenali me shumë mund merr një pikë ndaj Chelseat në Stamford Bridge - NACIONALE

Derbi i Londrës përfundon pa fitues, Arsenali me shumë mund merr një pikë ndaj Chelseat në Stamford Bridge

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Derbi i Londrës ndërmjet Chelseat dhe Arsenalit ka përfunduar pa fitues, me rezultatin 2:2, ku Arsenali u kthye nga disavantazhi prej dy golave, për të marrë një pikë shumë të vlefshme në udhëtim në Stamford Bridge.

Si Chelsea ashtu edhe Arsenali në këtë ndeshje vinin pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në Premierligë, dhe kur përballen dy rivalë nga i njëjti qytet, gjithmonë ka një dramë, siç ndodhi edhe sot.

Chelsea gjeti golin shpejt në pjesën e parë, kur një penallti e shkaktuar nga William Saliba nga një prekje me dorë, u konvertua në gol nga Cole Palmer në minutën e 15-të.

Me rezultatin 1:0 u mbyll pjesa e parë e takimit.

Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 48-të, pas një kundërzbritje, Mykhailo Mudryk gjeti golin për 2:0, fal një vendosje katastrofë të portierit David Raya.

Por Topçinjtë u kthyen në lojë. Ishte Declan Rice fillimisht që në minutën e 77-të ngushtoi rezultatin në 2:1 pas një gabimi të portierit të Chelseat në pasim.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar u kujdes Leandro Trossard, që shënoi në minutën e 85-të, pas një harkimi të bukur nga Bukayo Saka për 2:2.

Me këtë barazim, Arsenali humbi mundësinë të kthehej në krye të Premierligës, pasi tani ka pikë të barabarta me liderin Manchester City, me Tottenhamin që mund t’i tejkalojë me një fitore nga ndeshja që ka për të zhvilluar.

Lajme të ngjashme