Sorensen diskutoi me Kurtin për gjyqtarët serbë, Haxhiu thotë se KGjK “s’ka nevojë për presion e ndikim” - NACIONALE

Sorensen diskutoi me Kurtin për gjyqtarët serbë, Haxhiu thotë se KGjK “s’ka nevojë për presion e ndikim”

53 minuta më parë

nga NACIONALE

Sipas ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) “nuk ka nevojë të bie në presionin dhe ndikimin e askujt” sa i përket veprimeve në lidhje me ish-gjyqtarët serbë. Edhe më herët, zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje kishte akuzuar aleatët ndërkombëtarë për ushtrim presioni në këtë proces.

Të premten, Haxhiu bëri të ditur se i ka dërguar një shkresë kryesuesit të KGjK-së, së bashku me raportin që, sipas saj, ka të bëjë me integritetin e ish-gjyqtarëve serbë.

Ajo tha se ende nuk ka marrë përgjigje dhe shtoi se pret që KGjK-ja të veprojë sa më shpejt, pa rënë nën ndikimin e askujt.

“Ju njoftoj që unë i kam dërguar shkresë sërish kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. E kam njoftuar për raportin që unë kam, raportin mbi integritetin e atyre ish-gjyqtarëve serbë. Nuk më është përgjigjur ende në atë letër, pra e kam njoftuar për disa çështje që ndërlidhen edhe me konferencën e djeshme, por i kam thënë që e mirëpres takimin për të diskutuar, por ende nuk kam marrë letër kthyese. Prandaj pres që sa më parë Këshilli Gjyqësor i Kosovës të veprojë në përputhje me përgjegjësitë. Nuk ka nevojë që të bie në presionin dhe ndikimin e kërkujt. Është shumë e rëndësishme që si gjyqtarë, sepse shumica e tyre janë gjyqtarë, që të kryejnë me përgjegjësinë më të lartë detyrat që i kanë”, ka thënë ajo.

Javën e kaluar, pas zhvillimeve që lidhen me gjyqtarët dhe prokurorët serbë që kishin dhënë dorëheqje, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e vizitoi Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i konfirmoi Gazetës Nacionale se një nga temat e diskutimit gjatë takimit ishte edhe çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.

BE-ja, ndër të tjera, përsëriti qëndrimin e saj të shprehur më 21 korrik.

“Gjatë një takimi të fundit me kryeministrin në detyrë, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) diskutoi një sërë çështjesh që lidhen me Dialogun, përfshirë riintegrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës.

Duke rikujtuar deklaratën e zëdhënësit të BE-së të 21 korrikut, u theksua se, sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e udhëhequr nga sundimi i ligjit dhe se sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të Kosovës. Bashkimi Evropian ka bërë vazhdimisht thirrje që Kosova të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut, si dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të përmbahen nga çdo veprim që synon pengimin e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Nacionalen.

Haxhiu edhe më herët kishte akuzuar ndërkombëtarët për presion ndaj anëtarëve të KGjK-së, duke u shprehur “e shqetësuar për këtë gjë”.

Ajo çka më shqetëson është presioni që mund të vije nga partnerët tanë ndërkombëtare. Unë kam pasur takime nga partnerët tanë ndërkombëtar, ua kamë thënë hapur përgjegjësit e mija kushtetuese dhe njësoj duhet ta bëjnë anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Vetëm bazohu në ligj. Situata këtu është e pastër, është e qartë. Nuk ka asnjë mundësi interpretimi”, ka thënë Haxhiu.

Disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes deklaratave publike, ushtruan presion ndaj anëtarëve të KGjK-së që të miratonin dorëheqjet, duke pretenduar se, në të kundërtën, “i shërbejnë Vuçiqit”.

Kjo fushatë u nis nga deputetja e zgjedhur Adriana Matoshi, e cila konsiderohet e afërt me koordinatoren e politikave në Vetëvendosje, Dejona Mihali. Për Matoshin është raportuar disa herë se i publikon të gatshme shkrimet e hartuara nga Mihali.

Presioni publik vazhdoi edhe nga Mefail Bajçinovci, Arbreshë Hyseni dhe eksponentë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të ngjashme