Nga rikthimi i takimeve, te ‘kryhet për 24 orë nëse ka vullnet’: Tash krejt fokusi i LDK-së te bashkëpunimi me VV-në - NACIONALE

Nga rikthimi i takimeve, te ‘kryhet për 24 orë nëse ka vullnet’: Tash krejt fokusi i LDK-së te bashkëpunimi me VV-në

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pasi i mbijetoi një shkarkimi me vetëm 18 vota dallim, fokusi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është rikthyer te bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje. Qysh në deklarimin e tij të parë pasi u rikonfirmua si kryetar i kësaj partie, ai e hoqi pezullimin që kishte vendosur për takimet me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa tani nënkryetari i tij po deklaron se “nëse ka vullnet, për 24 orë kryhet”.

Kuvendin e Jashtëzakonshëm, i cili u thirr për shkarkimin e tij, Lumir Abdixhiku e quajti “të panevojshëm”, duke thënë se “e mbajti temë” këtë parti për disa muaj.

Gjatë ditëve në vijim, Abdixhiku “do të mbahet temë” edhe për takimet e tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Tashmë, LDK-ja i ka dërguar disa sinjale për bashkëpunim Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një konferencë për media, pasi u rikonfirmua si kryetar i LDK-së, Abdixhiku e hoqi pezullimin e vendosur për takimet me VV-në.

“Me këtë deklaratë, delegatët kërkuan edhe nga deputetët dhe anëtarët e Kryesisë që ta respektojnë plotësisht këtë orientim partiak. Po ashtu, morëm vendim që në Këshillin e Përgjithshëm të jenë anëtarë me të drejta të plota të gjithë deputetët e zgjedhur.

Nga nesër e tutje do të përpiqemi t'i vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Prej këtij momenti e heq çështjen e pezullimit dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë tutje për pozicionet", tha ai, transmeton Nacionale.

Së fundi, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke folur për marrëveshjen me VV-në, përmendi se në Kuvendin e LDK-së është konfirmuar që kjo parti të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit.

Megjithatë, deklarata e miratuar pikërisht në atë Kuvend u cilësua si problematike, veçanërisht për rregullimin e brendshëm partiak, ku thuhet se pas marrjes së një vendimi nga organet kompetente, moszbatimi i tij ose veprimi publik kundër qëndrimit zyrtar të partisë mund të çojë në masa statutare.

“5. Organet përkatëse të LDK-së obligohen të sigurojnë zbatimin e këtij vendimi dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin masat statutare ndaj shkelësve”.

“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Haziri ka përmendur tri parimet e kësaj partie për bashkëpunimin me VV-në: marrëveshje për të gjitha institucionet ose për asnjërën, agjendë të përbashkët shtetërore dhe qeverisëse, si dhe ndarje të përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, u shpreh Haziri.

Lajme të ngjashme