Shkelmoi flamurin meksikan, deputetja kërkon që Messi të shpallet “non-grata” në Meksikë
Lionel Messi është para pak ditësh është kritikuar e akuzuar se e përdhosi flamurin meksikan duke e fshirë dyshemenë me të. Tashmë një deputete meksikane ka kërkuar që të shpallet “non-grata” në Meksikë.
Më 26 nëntor, Messi ishte vendimtar në fitoren jetike 2:0 kundër Meksikës, por ishin pamjet e yllit argjentinas dhe shokëve duke festuar në zhveshtore që mllefosën qytetarët meksikanë.
Messi u akuzua se shkelmoi një flamur apo një fanellë të Meksikës. Gjesti u pa me sy të keq. Messi sqaroi se nuk e ka bërë me qëllim, por akuzat nga Meksika nuk munguan.
Tani kjo çështje ka shkuar edhe më larg. Deputetja meksikane, Maria Clemente Garcia Morena, i ka kërkuar parlamentit të Meksikës që ta deklarojë Lionel Messin si person të padëshiruar (“non-grata”).
“Të deklarohet person i padëshiruar qytetari argjentinas dhe spanjoll, Lionel Andres Messi Cuccittini”, ka shkruar ajo në kërkesën e saj drejtuar dhomës së deputetëve.

“Parlamenti i kërkon Ministrisë së Punëve të Jashtme që ta lëshojë një deklaratë ku thuhet se personi në fjalë është i padëshiruar në territorin e Meksikës, për shkak se ka treguar mungesë të respektit ndaj vendit tonë”, thuhet në kërkesën që është parashtruar nga ajo.
Alvarez kërcënoi i pari
Në lidhje me këtë çështje, ky nuk është reagimi i parë rigoroz që vjen nga Meksika. Më së shumti bujë ditën e nesërme të ndeshjes bëri bokseri meksikan Canelo Alvarez.
“A e patë Messin duke e pastruar dyshemenë me flamurin dhe fanellën tonë?”
“Ai le t’i lutet zotit se nuk do ta gjej. Unë e respektoj Argjentinën, ai duhet ta respektojë Meksikën!”

Ai shtoi: “Nuk po flas për vendin në tërësi, por për marrëzinë që e bëri Messi”.
Megjithatë, i shtyrë edhe nga disa sportistë të tjerë që të reflektonte mbi ato kërcime të hapura që bënte në llogarinë e tij në “Twitter”, Alvarez më pas i kërkoi faje yllit argjentinas.
Komentet i quajti të nxitura nga dashuria e madhe që ka për kombin e tij, duke pranuar se kërcënimet kishin qenë të pavenda.

Gjithsesi, pavarësisht qëndrimeve kontroverse, është më se e qartë që gjesti i Messit ka lënë shije të hidhur në shtetin meksikan.
Messi si kapiten i Argjentinës po përgatitet për ndeshjen çerekfinale ndaj Holandës, e cila do të luhet pasnesër, me fillim në ora 20:00.

Argjentina për herë të fundit e ka fituar Botërorin pikërisht në Meksikë më 1986, përmes lidershipit të Diego Maradonas. Njësoj argjentinasit urojnë që ta përjetojnë fatin e njëjtë edhe në epokën e Lionel Messit tani, duke ditur që ky është Botërori i fundit që shtatë herë fituesi i Topit të Artë do ta luajë në karrierën e tij.

