Batistuta: Uroj që Messi do ta thyejë rekordin tim të golave në Botëror - NACIONALE

Batistuta: Uroj që Messi do ta thyejë rekordin tim të golave në Botëror

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lionel Messi është duke shijuar Botërorin e tij të fundit. Në Argjentinë është ngritur një komb i tërë për ta përkrahur. Edhe legjenda argjentinase, Gabriel Batistuta, deklaroi se uron që Messi ta thyejë rekordin e tij të golave të shënuar në Botëror.

Katër ndeshje të luajtura dhe tre gola të shënuar në këtë Botëror që po zhvillohet në Katar. Padyshim se Lionel Messi, anipse në moshë 35-vjeçe, është kandili ndriçues i kombëtares së tij.

Ylli i dikurshëm argjentinas, Batistuta, uron që Messi ta thyejë rekordin e tij të golave të shënuar me kombëtaren amerikano-jugore në Botëror (10).

“Ka 20 vite që mbaj rekordin e golave të shënuar në Botëror qe 20 vjet dhe jam kënaqur. Tani është e drejtë që ta marrë dikush tjetër. Nëse ai lojtar quhet Messi, është më se i mirëseardhur”, u shpreh Batistuta për mediumin argjentinas “Olè”.

Ish-sulmuesi i spikatur argjentinas ndihet me peng që nuk ka mundur të luajë në më shumë se tre Botërore me Argjentinën.

“Nevrikosem që nuk kam mundur të luajë më shumë ndeshje. Kam prekur një herë 1/8 e finaòes, një herë çerekfinalen dhe një herë vetëm në grupe kam luajtur”, tha ai.

Pengu për Batistutan është që nuk ka mundur të luajë në fazën më të ndjeshme të Botërorit, siç është gjysmëfinalja apo vetë finalja.

“Nevrikosem shumë, sepse nuk kam mundur të luajë në ndonjë gjysmëfinale apo në diçka të ngjashme”, përfundoi ai.

Sytë e Argjentinës te Messi

Argjentina shpreson që ta rikthejë pas më shumë se tre dekadash trofeun më të çmuar në tokën e vet. Lionel Messi është shndërruar në beniamin dhe liderin absolut, me ndihmën e të cilit synohet të arrihet deri te triumfi final.

Paraqitjet e Argjentinës qëkur u mposht nga Arabia Saudite 2:1 në ndeshjen e parë të fazës së grupeve, kanë shkuar gjithnjë në rritje, sikur vetë ato të Lionel Messit.

Ndeshja kundër Australisë ishte dëshmia më e mirë, me Messin që ishte vendimtar me një gol të shënuar dhe me një seri rastesh të krijuara, si dhe driblimet pafund që bëri në çdo kënd të fushës.

Njashtu, edhe raporti i tifozërisë argjentinase me beniaminin e tyre asnjëherë nuk ka qenë më i afërt si tani, ku ndryshe nga edicionet e kaluara të Kupës së Botës, tani ekziston një koncenzus i gjerë për t’i qëndruar afër kapitenit të tyre, pa lindur polemika nga hiçi, siç ndodhnin në të kaluarën.

Kujtojmë se Argjentina në çerekfinale do të luajë ndaj Holandës. Ndeshja në fjalë do të luhet të premten me fillim në ora 20:00.

Lajme të ngjashme