Messi: Brazili, Spanja dhe Franca favoritët e mbetur, eliminimi i Gjermanisë më befasoi - NACIONALE

Messi: Brazili, Spanja dhe Franca favoritët e mbetur, eliminimi i Gjermanisë më befasoi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi Lionel Messi ka thënë haptas se Brazili, Spanja dhe Franca janë tre favoritët e mbetur për ta fituar Kupën e Botës "Katar 2022".

Argjentina tashmë ka siguruar kualifikimin në çerekfinale pasi mposhtën Australinë me rezultat 2:1 në raundin e 16-të, ku ylli i PSG-së shënoi golin e parë.

Sidoqoftë, Messi nuk e ka vlerësuar kombëtaren e tij si një ndër favoritët për Kupën e Botës, derisa nuk kishte hapësirë aty as për Anglinë.

Sipas "The Mirror", Messi u tha gazetarëve: "Kemi parë gjithë Kupën e Botës, ndeshjet që kemi mundur kuptohet. Brazil po luan shumë mirë, pavarësisht humbjes ndaj Kamerunit, vazhdojnë të jenë ndër favoritët kryesorë të mbetur".

"Franca gjithashtu dhe Spanja, pavarësisht asaj që ndodhi gjatë progresit (humbja nga Japonia), sepse ata luajtën shumë mirë, janë shumë të qartë se çfarë duan në lojë kur e kanë topin, e kontrollojnë posedimin për një kohë të gjatë të lojës".

Brazili dhe Spanja tashmë kanë pësuar nga një humbje në Kupën e Botës, në ndeshjet e fundit të fazës së grupeve, me Francën që vazhdon të jetë e pamposhtur.

Statistikisht, Anglia ka përformancën më të mirë në fazën grupore, por vazhdon të jetë jashtë listës së Messit.

Duke komentuar shanset e Argjentinës, Messi tha: "Argjentina është fuqi dhe gjithmonë ndër skuadrat më të mira. E dinim para se të vinim se ishim një ndër kandidatët shkaku i asaj që po bënim dhe duhet ta dëshmojmë në fushë. Dhe fatmirësisht e kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë disa hapa të vogël".

Në fund, Messi konfirmoi se ka mbetur i befasuar me eliminimin e Gjermanisë në fazën e grupeve.

"Po, isha i befasuar. Sepse ata kanë lojtarë të rëndësishëm, një ekip me lojtarë të rinj dhe sepse Gjermania është gjithmonë në listën e më të mirëve. Është befasuese se sërish në Kupën e Botës ata eliminohen në raundin e parë".

"Por, kjo është Kupa e Botës, tregon pse është kaq e vështirë, sa e barabartë gjithçka është dhe emri i kombëtares më nuk ka rëndësi, por çfarë po shoh në fushë është gjithçka e barabartë".

Argjentina pas humbjes befasuese nga Arabia Saudite, fitoi dy ndeshjet e mbetura ndaj Meksikës, respektivisht Polonisë që të kualifikohen si lider i grupit.

Tutje, ata eliminuan Australinë, derisa tani do të përballen me Holandën në çerekfinale.

Lajme të ngjashme