De Bruyne ka kërkuar pushim, do të mungojë për Belgjikën në Ligën e Kombeve
Kapiteni i lënduar, Kevin de Bruyne, do të mungojë për Belgjikën në Ligën e Kombeve, teksa ka kërkuar më shumë pushim nga ekipi kombëtar, ka njoftuar trajneri, Domenico Tedesco.
De Bruyne u lëndua duke luajtur për Manchester Cityn kundër Interit në Ligën e Kampionëve muajin e kaluar dhe ka humbur katër ndeshjet e fundit të kampionëve anglezë.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, kishte konfirmuar tashmë se De Bruyne pritej të mungonte deri pas pushimit ndërkombëtar javën e ardhshme për shkak të një dëmtimi muskulor.
Belgjika përballet me Italinë në Romë të enjten dhe më pas pret Francën në Bruksel më 14 tetor.
Në një konferencë për shtyp të premten, Tedesco tha se De Bruyne kishte kërkuar gjithashtu të humbiste dy ndeshjet e fundit të nëntorit në Grupin A2 të Ligës së Kombeve kundër Italisë dhe Izraelit, pasi ai kërkon të menaxhojë numrin e ndeshjeve që luan.
De Bruyne kishte hedhur dyshime mbi të ardhmen e tij ndërkombëtare kur vuri në pikëpyetje mentalitetin luftarak dhe aftësinë e shokëve të tij të skuadrës pas humbjes 2:0 nga Franca në Lyon më 9 shtator.
Por Tedesco tha se De Bruyne ishte i përkushtuar për të vazhduar karrierën e tij ndërkombëtare deri në Kupën e Botës 2026.
"Kam pasur një bisedë të gjatë telefonike me Kevin. Ai ka një dëmtim, por është shumë i motivuar për të vazhduar me Djajtë e Kuq dhe për të luajtur Kupën e Botës në 2026," tha Tedesco.
“Ai ka kërkuar të anashkalojë këtë kamp dhe gjithashtu nëntorin, që të jetë në gjendje të kujdeset për trupin e tij. Orari është bërë edhe më i ngarkuar për shkak të Kupës së Botës për Klube. Prandaj ai nuk është tani dhe nuk do të jetë në nëntor. Por kur të ketë rëndësi – Kupa e Botës – ai do të jetë aty. Kevin është një lojtar i madh, por edhe një personalitet i madh. Ne folëm pas asaj që ndodhi në ndeshjen e fundit. Sigurisht ai ishte emocional, ai gjithmonë dëshiron të fitojë. Por ai kurrë nuk përmendi emra në media. Ne vetëm duhet të merremi me atë.
Në media është bërë një artikull i madh, vetëm sepse ishte Kevin ai që e tha. Por në dhomën e zhveshjes nuk është një temë e madhe", shtoi trajneri.