Darwin Nunez për vështirësitë në Liverpool: Nuk po kuptoj çfarë po thotë Jurgen Klopp, sinqerisht
Darwin Nunez e ka pranuar se është duke hasur në vështirësi përballë portës, pasi bëri një tjetër paraqitje të dobët kundër Rangers të martën në Ligën e Kampionëve, dhe thotë se nuk e kupton trajnerin e vet Jurgen Klopp kur flet.
Sulmuesi uruguaian iu bashkua Liverpoolit në verë nga Benfica për rreth 100 milionë euro dhe deri tani ka dështuar ta arsyetojë çmimin që u pagua për të, duke e shënuar vetëm një gol në Premierligë.
Ai mungoi në tri ndeshje, përfshirë në fitoren e paparë të të kuqve 9:0 kundër Bournemouth, për shkak të pezullimit. Firmino është duke treguar formë të lartë në pozitën e njëjtë, gjë që nuk i ndihmon aspak atij veçanërisht pas paraqitjes së dobët kundër Rangers si titullar.
Nunez thotë se nuk është në gjendje ta kuptojë trajnerin gjatë fjalimeve të tij para skuadrës dhe se iu kërkon bashkëlojtarëve ndihmë për të përkthyer për të.
Duke folur pas ndeshjes kundër Rangers, Nunez u pyet nga ESPN për planin e lojës, ndërsa përgjigja e tij ishte: “E vërteta është se, sinqerisht, ai flet para ekipit dhe unë nuk kuptoj asgjë.”

“Pastaj iu kërkoj bashkëlojtarëve të në tregojnë se çfarë thotë ai. Por mendoj se ai është shumë i qartë për planin e lojës”, shpjegoi Nunez.
“Ai na kërkon t’i thjeshtësojmë gjërat, në mënyrë që të mos kemi frikë të luajmë, të kemi vetëbesim. Kur e humbim topin na kërkon të bëjmë presion. Këtë e kërkon gjithmonë ai”, shtoi ai.
Në lidhje me vështirësitë me të cilat po përballet në Anfield, Nunez theksoi: “Nganjëherë ndihem se nuk jam vendimtar për ekipin. Nuk ndiej vetëbesim aspak”.
Nunez beson se me kalimin e kohës dhe me ndihmën e Kloppit do ta fitojë vetëbesimin.
“Por me kalimin e seancave stërvitore dhe ndeshjeve, vetëbesimi do të rritet. Edhe vetë trajneri më ofron vetëbesim gjithmonë”
