Cristiano Ronaldo: Unë jam dredhëza që njerëzit duan ta kafshojnë
Cristiano Ronaldo e ka përshkruar veten si “një dredhëz që njerëzit dëshirojnë ta kafshojnë” kur është pyetur nga gazetari Piers Morgan përse ai është kaq i famshëm dhe ndjekur nga miliona njerëz në rrjetet sociale.
Pjesa e parë e intervistës kontroverse të Ronaldos u publikua të mërkurën, në të cilën ai thotë shumë gjëra tronditëse.
Nga adhurimi për ish-trajnerin Ole Gunnar Solskjaer dhe gozhdimi i gjeneratës së re të lojtarëve të Manchester Unitedit, 37-vjeçari foli edhe për numrin rekord të ndjekësve që gëzon në rrjetet sociale.
Ai ia atribuoi pamjes së vet fizike numrin rekord të ndjekësve në Twitter dhe Instagram, derisa e krahasoi veten edhe me dredhëz.
Duke folur për numrin e madh të ndjekësve që gëzon në rrjetet sociale, Ronaldo tha: “Nuk është vetëm sepse luaj shumë mirë futboll, mendoj se edhe gjërat tjera janë të rëndësishme, duhet të jesh karizmatik. Mendoj se të qenit i pashëm ndihmon po ashtu. Nuk e di arsyen kryesore, por unë jam garues, një dredhëz që njerëzit duan ta kafshojnë”.
Intervista e Ronaldos tronditi botën e futbollit në përgjithësi, pasi e kritikoi klubin, trajnerët, ish-bashkëlojtarët dhe të tjerët.
Ronaldo, 37 vjeç, tha gjatë intervistës së ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi.
“Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri (Ralf Rangnick), por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar”, tha Ronaldo.
“Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”.
Ai nuk ngurroi ta godasë edhe trajnerin e tanishëm të djajve të kuq, Ten Hag, duke e pranuar se nuk e respekton.
"Nuk kam respekt për të pasi ai nuk tregoi respekt për mua. Nëse nuk ke respekt për mua, asnjëherë nuk do të kam respekt për ty", shtoi Ronaldo.
Ronaldo kishte refuzuar të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamit dhe pastaj ishte larguar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes muajin e kaluar.
Unitedi po fitonte me dy gola epërsi, kur 37-vjeçari u largua drejt tunelit të stadiumit ende pa përfunduar ndeshja dhe si pasojë Ten Hag e largoi përkohësisht nga skuadra dhe e detyroi të stërvitej me ekipin e të rinjve.
Ronaldo u rikthye në Old Trafford në fillim të sezonit 2021/22, pasi ishte bindur nga ish-trajneri, legjenda Sir Alex Ferguson t’i ribashkohej klubit 12 vite pasi ishte larguar në drejtim të Real Madridit.
Sezoni i tij i dytë në United pas kthimit në klub, megjithatë, nuk ka shkuar sipas planit, pasi Ronaldo e humbi vendin e titullarit dhe u kritikua shumë për veprimet që bënte si pasojë.

