Cristiano Ronaldo ka vendosur ta padisë Juventusin
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka vendosur të ndjek rrugën ligjore kundër Juventusit për pagat e papaguara, siç mëson gazeta italiane La Gazzetta dello Sport.
E përditshmja italiane thekson se si ylli portugez – i cili kaloi tre vite në Torino – po kërkon t’i paguhen 19.9 milionë euro neto që iu premtua nga klubi kur pranoi të shtynte pagat e tij gjatë muajve të parë të pandemisë COVID.

Këto paga të shtyra janë pjesë e 'manovrave të pagave' tashmë famëkeqe të Juventusit, të cilat janë objekt i çështjes ligjore Prisma në vazhdim.
Pasi kërkoi dokumentet përkatëse në Prokurorinë Publike të Torinos, Ronaldo tashmë ka vendosur të marrë masa ligjore ndaj Juventusit, duke i shkaktuar një tjetër dhimbje koke Zonjës së Vjetër.

Leonardo Bonucci gjithashtu nisi kohët e fundit një veprim ligjor kundër klubit, duke kërkuar dëmshpërblim pasi ai u pezullua në mënyrë jo të duhur sipas tij nga skuadra e Massimiliano Allegrit.
Paulo Dybala, nga ana tjetër, ka arritur një marrëveshje me Juventusin për rreth 3 milionë euro që i kishte borxh. Ai tani ka hequr dorë nga padia e tij në lidhje me kompensimin për mos vazhdimin e kontratës së tij pas marrëveshjes fillestare verbale.

