Conference League: Shkëndija me paraqitje mahnitëse siguron fitore në udhëtim
Shkëndija e ka kthyer shkëlqimin në arenë evropiane. Klubi nga Tetova shënoi fitore të rëndësishme në udhëtim kundër Valmiera me rezultat 1:2.
Edhe pse nuk llogaritej favorite për ta fituar ndeshjen e sotme, Shkëndija e dëshmoi cilësinë që ka dhe mbizotëroi si me rezultat, ashtu edhe me lojë.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Shaqiri tregoi tërë personalitetin e saj, duke fituar në Letoni. Ky triumf i tyre i afron drejt suksesit të mëtejm në rrethët kualifikuese të Conference League.
Siguria e dëshmuar gjatë lojës ishte mbresëlënëse. Përkundër se është klub nga vendet e Baltikut, Valmiera është mjaft mirë e organizuar, andaj edhe sfida e sotme me të drejtë projektohej jo e lehtë.
Pjesa e parë me shumë emocione
Që të dy skuadrat treguan një mentalitet sulmues, duke mos hyrë në fushë për të bërë shumë llogari, siç ndodh zakonisht në ndeshjet e para që zhvillohen në këto nivele.
Trajnerët respektivë zgjodhën rreshtimin 4-2-3-1 për t'iu kundërvënë njëri-tjetrit. Shkëndija u vërejt menjëherë që nuk kishte udhëtuar për të qëndruar në mbrojtje, në pritje të kundërsulmeve.
Skuadra "kuqezi" u hodh në sulm. Në minutën e 9-të një qasje e tillë i dha frytet e veta, pasi sulmuesi anësor i majtë, Doriev, shënoi për ta çuar skuadrën në epërsi me rezultat 0:1.
Në minutat në vazhdim vijuan sulmet e dyanshme, nga të dy skuadrat. Nga njëra anë ishte Valmiera që përpiqej ta barazonte rezultatin, kurse në anën tjetër Shkëndija përmes disa daljeve të shpejta mundohej që ta dyfishonte epërsinë.
Për fatin e keq të Shkëndijës, Valmiera barazoi rezultatin pak para se skuadrat të shkonin në pushimin mes dy pjesëve. Kur po zhvillohej minuta e 45-të, Yakuba pasoi për mrekulli për sulmuesin Gueye, i cili u tregua i saktë duke shënuar për 1:1.
Pjesa e dytë monumentale e Shkëndijës
Nëse në kushtet e zakonshme skuadra që shënon golin e epërsisë fiton edhe një rritje morale dhe të vetëbesimit në fushë, në rastin e sotëm nuk ndodhi ashtu.
Shkëndija nuk u demoralizua kur u fut në fushë në pjesën e dytë, por demonstroi të gjithë përvojën dhe karakterin e saj, të cilat i ka vënë në spikamë tani e disa vite.
Maturia e Ferhan Hasanit, si dhe të lojtarëve tjerë që kanë bagazh të madh në ndeshje të këtij niveli, ishin përcaktuese edhe për bashkëlojtarët e tyre.
Kësisoj, skuadra tetovare filloi një furi sulmesh në drejtim të kundërshtarit. Fillimisht, trajneri Shaqiri në minutën e 60-të bëri dy zëvendësime, duke larguar nga loja Florent Ramadanin dhe Doriev, për t'i inkuadruar në fushë Reshat Ramadanin dhe Naftiun.
Këto ndryshime dhanë menjëherë rezultat. Pas tre minutash ishte pikërisht i porsa-inkuadruari në fushë, Naftiu, ai që i dha një pasim të mirë sulmuesit shqiptar, Guri, i cili nuk u tregua klinik para portës për ta rikthyer epërsinë, duke çuar shifrat në 1:2.
Në minutat e mbetura të lojës skuadra vendëse u mundua që ta barazonte rezultatin, por ishin prapëseprapë daljet e Shkëndijës ato më të rrezikshme, përmes së cilave rrezikoi që ta shënonte edhe golin e tretë.
Gjithsesi, me shifrat 1:2 u mbyll edhe tërë epilogu i ndeshjes së parë. Tani Shkëndijën e pret ndeshja e kthimit më 28 korrik në Shkup, me fillim në ora 20:00.


