Conceicao pas humbjes së Milanit ndaj Bolognas: Presioni po rritet, por nuk dorëzohem - NACIONALE

Conceicao pas humbjes së Milanit ndaj Bolognas: Presioni po rritet, por nuk dorëzohem

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sergio Conceicao premtoi se do të vazhdojë të punojë me të njëjtën pasion te AC Milan, edhe pse pranoi se presioni mbi të po rritet pas humbjes 2:1 ndaj Bolognas.

Sezoni i Milanit është në prag të dështimit total pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe dy humbjeve radhazi në Serie A, të cilat i kanë lënë ata në vendin e tetë, tetë pikë prapa Juventusit në vendin e katërt, me 12 ndeshje të mbetura.

Skuadra e Conceicaos kishte avantazhin në pjesën e parë falë golit të Rafael Leaos, por barazimi erdhi vetëm tre minuta pas pushimit. Dan Ndoye shënoi golin e fitores në minutën e 82-të, me Milanin që nuk arriti të gjente një gol të vonë për të shpëtuar një pikë.

Kjo ishte humbja e parë e Milanit në transfertë ndaj Bolognas që nga marsi i vitit 2002. Kuqezinjtë kanë pësuar shtatë humbje në 26 ndeshje këtë sezon në Serie A; në dhjetë sezonet e fundit, vetëm në 2017-18 (tetë) dhe në 2019-20 (dhjetë) ata kanë pasur më shumë humbje në këtë fazë të kampionatit, sezone që përfunduan në vendin e gjashtë.

"Është gjithçka në duart tona. Nëse dhe kur klubi do të ndihet që nuk jam më personi i duhur për Milanin, do të largohem, por deri atëherë do të vazhdoj të punoj me të njëjtin pasion si gjithmonë," tha Conceicao për gazetarët.

"Ndjehem shumë i zhgënjyer sepse rezultatet nuk po vijnë, por mendoj se kjo është normale për një trajner që punon me pasion. Duket sikur një re e zezë po qëndron mbi Milanin dhe e vetmja mënyrë për ta larguar atë është me rezultate, sepse ato bëjnë diferencën."

Kjo është hera e parë që Milani pëson dy humbje radhazi në Serie A që nga janari 2023 (një seri prej tre humbjesh), ndërsa tani kanë tre ndeshje pa fitore në të gjitha kompeticionet, çka ka shtuar kritikat ndaj Conceicaos.

50-vjeçari beson se kritikat e fundit nga mediat janë të padrejta.

"E kuptoj që çdo ditë flitet për situatën dhe të ardhmen time, sikur sapo të kisha ardhur këtu, por unë jam përballur me pesë klube të mëdha italiane," tha Conceicao gjatë një deklarate të tensionuar në konferencën për shtyp.

"Kam sfiduar trajnerë si [Maurizio] Sarri dhe [Stefano] Pioli në krye të skuadrave teorikisht më të dobëta, por gjithmonë jam kualifikuar kundër tyre, përveç ndaj Interit. Shoh njerëz që flasin për situatën time, ndaj nëse duan të më largojnë, le ta thonë hapur. Nuk dua asnjë euro më shumë, kështu që dua t'i qetësoj. Nuk kam ardhur këtu nga hiçi. Kam fituar 13 trofe, kam 100 ndeshje në Ligën e Kampionëve. Prapëseprapë, njerëzit vazhdojnë të flasin dhe të thonë gjëra të padrejta. Kam familje dhe fqinjë që e shohin këtë situatë. Nuk është e drejtë. Më falni që u shpreha kështu, por preferoj të flas për futbollin."

Milani pret Lazion të dielën në Serie A, për të rinisur këndelljen dhe për të kërkuar një vend në top 4 të elitës italiane të futbollit, që do ta siguronte pjesëmarrjen në Ligë të Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme