Cluj i beson edhe në Ligë të Konferencës, ylli i Kosovës starton ndaj Lazios
Anësori kosovar, Ermal Krasniqi, ka filluar aventurën e tij për mrekulli në skuadrën rumune, CFR Cluj, ku pas paraqitjeve shumë të mira në kampionatin e Rumanisë, ai ka marrë besimin të startojë edhe në ndeshjen e Ligës së Konferencës, ndaj gjigantit italian, Lazio.
Kjo për 24-vjeçarin do të jetë vetëm paraqitja e parë në një garë evropiane me fanellën e klubit të ri, pasi më parë kishte luajtur për Ballkanin, pikërisht ndaj skuadrës së tij aktuale në grupet e Ligës së Konferencës.

Këtë sezon në pesë paraqitje sa ka bërë në këtë garë, ai ka shënuar dy gola, një ndaj Sivasspor dhe një ndaj Slavia Praha, ndërsa sot ka mundësinë ta rrisë numrin e golave.
Trajneri i Cluj, Dan Petrescu, ka ndryshuar paksa skemën nga ndeshjet që zhvilloi në kampionatin vendas, duke kaluar nga 4-3-3 në 4-4-2, ku Krasniqi do të jetë i vendosur si anësor pas dyshes sulmuese.
Kjo është 11-shja që fillon ndeshjen për Cluj ndaj Lazios:

Anësori nga Kosova i ka rënë në sy edhe trajnerit të skuadrës italiane, Maurizio Sarri, që në konferencën për media një ditë para ndeshjes, tha fjalë të mira, duke thënë se ai është tip futbollisti që përshtatet në çdo kampionat.
"I kam parë ndeshjet e fundit të kësaj skuadre dhe kanë qenë ndeshje të ndikuara prej kushteve atmosferike. E kam parë edhe këtë Ermal Krasniqin dhe më duket një lojtar i gatshëm për çdo kampionat. Cluj ka lojtarë të nivelit të lartë. Do të jetë ndeshje e ndërlikuar", tha Sarri.
Kujtojmë se Ermal Krasniqi u transferua gjatë këtij afati kalimtar dimëror në Rumani nga kampioni i Kosovës, Ballkani për shumën e 300 mijë eurove.

