Chelsea fiton me lehtësi ndaj Aston Villës, kalon në 1/8 e finalës së Kupës FA
Pas tre ndeshjeve radhazi pa fitore, Chelsea është kthyer te rezultatet pozitive, duke mposhtur me lehtësi një nga skuadrat më në formë në Angli, Aston Villën, me rezultat 3:1, për të kaluar në 1/8 e finales të Kupës FA.
Dy humbje katastrofale, fillimisht nga Liverpool 4:1, e pastaj nga Wolves 4:2, çuan Chelsean në vendin e 11-të në Premierligë.
Kjo fitore mund të konsiderohet si shpëtim për Mauricio Pochettinon, që ishte në rrezik për t'u shkarkuar, nëse të kaltrit e Londrës do të eliminoheshin nga Kupa FA.
Për të dalë një fitues nga përballja Aston Villa - Chelsea, u deshën dy lojë, pasi rregullorja e parasheh që në rast të barazimit, të zhvillohet një ndeshje e dytë.
Në Villa Park, aty ku ky stadium është shndërruar në ferr për kundërshtarët, për Chelsean nuk ishte aq e vështirë, ndonëse u zhvillua ndeshje e barabartë, me posedim pothuajse të njëjtë nga dy skuadrat e gjithashtu me raste të mira në të dy anët, por londinezët ishin më konkretë.
Ishte Conor Gallagher që çoi Chelsean fillimisht në epërsi prej 1:0 në minutën e 11-të, me Noni Madueke që asistoi.
10 minuta më vonë, Malo Gusto në rolin e asistuesit, me një aksion të bukur e gjeti Nicolas Jackson, që shënoi për 2:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Nëntë minuta pasi filloi pjesa e dytë, Enzo Fernandez me një gjuajtje të fuqishme nga një largësi e madhe, shënoi gol fantastik nga gjuajtja e lirë për 3:0.
Krejt çfarë Aston Villa bëri në këtë takim ishte goli për 3:1, i shënuar nga Moussa Diaby në minutat shtesë.
Chelsea me këtë fitore shkon tutje në 1/8 e finales, ku do të takohet me Leeds United më 28 shkurt, për një vend në çerekfinale.