Chelsea e konfirmon marrëveshjen 73.5 milionë euro për Cucurellan
Chelsea ka arritur marrëveshje me Brightonin për ta blerë mbrojtësin Marc Cucurella, në një marrëveshje që e kap shifrën e 73.5 milionë eurove duke përfshirë bonuset.
Mbrojtësi spanjoll ishte i shumëkërkuar këtë verë, veçanërisht nga Manchester City dhe Barcelona.
Pasi iu bashkua Brightonit në verën e vitit 2021 nga skuadra spanjolle Getafe për rreth 18 milionë euro, dhe pas një viti po largohet për një shumë marramendëse.
Ai kishte sezon të mrekullueshëm me Brightonin duke u shpallur Lojtari më i Mirë i Sezonit nga ky klub.
“Pas raportimeve të shumta nëpër media këtë javë, mund të konfirmojmë se kemi arritur marrëveshje me Brightonin për blerjen e Marc Cucurellas”, thuhet në njoftimin e Chelseat.
CLUB STATEMENT: MARC CUCURELLA.
— Chelsea FC (@ChelseaFC) August 5, 2022
Following reports from numerous media outlets this week, we can confirm an agreement has been reached with Brighton and Hove Albion for the signing of Marc Cucurella.
Chelsea do t’ia paguajë Brightonit 65 milionë euro, plus 8.5 milionë euro të tjera bonuse lehtë të arritshme për blerjen e Cucurellas.
Kalimi i mbrojtësit spanjoll te Chelsea shkaktoi goxha polemika gjatë kësaj jave, pasi Brightoni e mohoi marrëveshjen në fillim të kësaj jave.
Megjithatë, kalimi i tij tek te kaltrit është punë e kryer tashmë, pasi Chelsea e konfirmoi marrëveshjen përmes një komunikate në Twitter.
Cucurella kërkohej edhe nga Manchester City në fillim të kësaj vere, por kampioni anglez nuk pranoi ta paguajë çmimin e lartë që Brightoni kërkonte për lojtarin.
City bëri ofertë prej 35.5 milionë eurove, e cila u refuzua menjëherë nga Brightoni. Oferta e dytë dhe e fundit e kampionit në fuqi ishte 47 milionë euro, e cila u hodh poshtë po ashtu.
Për dallim nga City, Chelsea ishte i gatshëm ta paguajë shumën e kërkuar nga Brightoni dhe ia doli të arrijë marrëveshje për mbrojtësin e krahut të majtë.