Carlo Ancelotti kërkon falje për humbjen e pabesueshme, premton tjetër lojë kundër Man City - NACIONALE

Carlo Ancelotti kërkon falje për humbjen e pabesueshme, premton tjetër lojë kundër Man City

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, u ka kërkuar falje tifozëve të klubit madrilen për disfatën 4:2 kundër Gironës, por ka ngulur këmbë se skuadra do të jetë mirë kundër Manchester City në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Valentin Castellanos i shënoi të gjitha katër golat për ta fundosur Real Madridin në Laliga të martën, me golat e Vinicius Juniorit dhe Lucas Vasquezit që ishin të pamjaftueshme për skuadrën e Ancelottit.

Ancelotti ishte i zemëruar me paraqitjen e skuadrës së tij në mbrojtje në veçanti, por u zotua se loja e saj do të përmirësohej në finalen e Kupës së Mbretit kundër Osasunës dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester City.

Është e vështirë sepse kur humb duhet të jetë e vështirë. Luajtëm keq në mbrojtje. Dhe ky ishte çelësi, sepse me topin luajtëm mirë, veçanërisht në fillim. Por nuk ishim bindes në duele, na zunë në dy kundërsulme, dhe nga aty, çdo gjë u bë më e vështirë”, tha Ancelotti.

E kuptoj se tifozët janë të lënduar, u kërkojmë falje. Edhe ne jemi të lënduar. Por tifozët e dinë se ne do të jemi mirë në finale të kupës, si dhe në gjysmëfinale (kundër City). Është më e vështirë ta thuash sot, por kjo ndeshje nuk e përfaqëson Madridin. Ne kërkojmë falje, por duhet të shikojmë përpara”, shtoi ai.

Real Madridi nuk kishte pranuar gol në gjashtë prej shtatë ndeshjeve të fundit por u duk plotësisht i çorganizuar kundër Gironës.

Megjithatë, Ancelotti beson se kjo disfatë mund të shërbejë për t’i zgjuar nga gjumi lojtarët e tij para përfundimit të sezonit.

Po, mund të jetë (e mirë për ekipin). Humbja nuk është kurrë e mirë, por përkushtimi në mbrojtje është tepër i rëndësishëm dhe nëse e kemi, do të fitojmë gjithmonë. Është e pabesueshme”, theksoi ai.

Real Madridi e pret Almerian në ndeshjen e radhës në Laliga të shtunën në Santiago Bernabeu.

Lajme të ngjashme