Busqets: Gavi mund të shndërrohet në njërin prej futbollistëve më të mirë të gjeneratës së tij
Sergio Busquets ka thurur lëvdata për Gavin, i cili ishte protagonist i një paraqitje të shkëlqyeshme në triumfin 3:1 kundër Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës. Ai vlerësoi se ka potencialin për t’u bërë edhe njëri ndër më të mirët e gjeneratës së vet.
Bashkëlojtari i tij, Busquets, foli në superlativ për atë çfarë dëshmoi Gavi dhe për cilësitë që ka në përgjithësi, që sipas tij mund ta shndërrojnë në futbollist që do të mund ta bëjë dallimin në gjeneratën e vet në vitet e ardhshme.
“Ai është një ‘përbindësh’. Në moshën e tij (18-vjeçe) zakonisht futbollistët luajnë për të rinjtë ose në skuadrën B. Ka një të ardhme të ndritur para vetës, por si 18-vjeçar ka akoma shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Mund të shndërrohet në njërin prej futbollistëve më të mirë të gjeneratës së tij”, komentoi Busquets pas ndeshjes.

Një gol, dy asiste dhe shumë aktiv në lojën e Barçës: ishte kjo përmbledhja e një paraqitje të hatashme që bëri Gavi, në mbrëmjen që pa Xavin t’i gëzohej trofeut të parë sezonal, pasi fitoi Superkupën e Spanjës.
Si rrjedhojë e një paraqitje kaq mbresëlënëse, ai u shpall edhe futbollisti më i mirë i kësaj finale, që u zhvillua në Arabinë Saudite.
Sado i ri në moshë, Gavi shumë shpejt e ka etabluar pozitën e titullarit në formacionin e Barçës. Xavi gjithmonë ka thënë fjalë të mira për të, duke e vlerësuar maksimalisht çdo tipar teknik të tij dhe jo vetëm: edhe taktik.
