Brazilianët tallen me Neymarin, pasi i parapëlqyeri i tij radikal i humbi zgjedhjet presidenciale - NACIONALE

Brazilianët tallen me Neymarin, pasi i parapëlqyeri i tij radikal i humbi zgjedhjet presidenciale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Neymari është tallur nga bashkëqytetarët e vet, pasi kandidati i ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro – të cilin e kishte mbështetur ai – i humbi zgjedhjet për president të Brazilit.

Neymar, 30 vjeç, e kishte përkrahur haptazi Bolsonaron në garën për president të Brazilit, por as kjo nuk i mjaftoi atij për ta shmangur disfatën, pasi ish-lideri majtist Lula da Silva i fitoi zgjedhjet.

Neymari akuzohet se kishte bërë ujdi për ta mbështetur liderin opozitar në shkëmbim të faljes së borxheve tatimore që dyshohet se ia ka shtetit

Prandaj, humbja e Bolsonaros i nxiti përkrahësit e Lulas të brohorisin: “Ey, Neymar, vai ter que declarar”, që në shqip i bie: “Hej, Neymar, do të duhesh t’i deklarosh (taksat)”.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain dhe Kombëtares së Brazilit akuzohej për shmangie tatimore gjatë kohës së kaluar në atdhe si futbollist i Santosit.

Para zgjedhjeve, të cilat i fitoi Lula me rezultat të ngushtë 50.9%, Neymari e kishte mbështetur publikisht kandidatin kontrovers Bolsonaro, duke thënë se me të ndanë vlerat e njëjta.

Çfarë më ka nxitur mua ta shpreh qëndrimin tim janë vlerat të cilat i përfaqëson presidenti, të tij janë të ngjashme me të miat, të familjes sime. Ai i mbron njerëzit, fëmijët dhe familjen”, kishte thënë Neymar.

Paralajmërimi i Lulas

Kur ishte pyetur për përkrahjen e Neymarit për rivalin e tij gjatë fushatës zgjedhore, Lula kishte thënë se e kuptonte qëndrimin e lojtarit.

"Mendoj se ai frikësohet se, nëse fitoj unë, të gjithë do ta dinë se Bolsonaro ia ka falur borxhet tatimore”, kishte thënë Lula.

Lula, natyrisht, fitoi, me gjithë përpjekjet e Bolsonaros për ta përdorur ushtrinë për t’i penguar përkrahësit e Lulas gjatë votimit.

Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë do të thotë kjo për vetë Neymarin.

Pasi e përkrahu në shumë raste Bolsonaron, Neymari ka qenë shumë më i heshtur qëkur Lula e shpalli fitoren.

Por një gjë është e sigurt, Neymari nuk do të mund t’ia kushtojë asnjë gol Bolsonaros nëse shënon në Kupën e Botës, siç kishte lënë të kuptohej më herët.

Lajme të ngjashme