Blerja e Slonina si portier i dytë, hap rrugën e largimit për Kepa nga Chelsea
Chelsea po vazhdon të përgatitet për fillimin e sezonit të ri. Tashmë londinezët kanë siguruar shërbimet e Slonina si portier i dytë. Kjo do të thotë se Kepa është drejt largimit.
Njëra prej pikave më të forta të Chelseat ka qenë portieri, falë paraqitjeve të shkëlqyeshme të Mendy. Kepa është lënë në harresë, ngase portieri 30-vjeçar ka dëshmuar cilësi të larta.
Megjithatë, londinezët me kaq nuk janë mjaftuar. Të pakënaqur me rendimentin e Kepa, ata kanë arritur marrëveshje me një portier të ri, i cili do të jetë opsioni i dytë i portës.
Fjala është për Gabriel Slonina, portierin 18-vjeç të Chicago. Kjo lëvizje nënkupton se një portier do të vijë, ndërsa një tjetër, respektivisht Kepa, është në largim e sipër, me drejtuesit e klubit që po mundohen ta gjejnë klubin e duhur që do t'i ofronte kushtet e kënaqshme për të.
Detajet e marrëveshjes me Slonina
Gabriel Slonina ka rënë në sytë e skautëve të Chelseat, për shkak të asaj çfarë ka dëshmuar në futbollin amerikan, gjegjësisht me fanellën e Chicagos.
I vlerësuar si njëri ndër talentët më të mirë nga të rinjtë, kartoni i Slonina është blerë për një shifër të konsiderueshme parash, rreth 15 milionë euro.
Siç bën të ditur mediumi ESPN, ai në orët në vijim do të udhëtojë së bashku me përfaqësuesit e tij në drejtim të Londrës, ku do të nënshkruajë kontratën e re me Chelsean, pasi t'i përfundojë testet mjekësore.
Së pari, 18-vjeçari do ta mbyllë sezonin me Chicago, duke iu bashkuar klubit anglez nga 1 janari i vitit të ardhshëm, për të qenë gati për pjesën e dytë të sezonit 2022/2023.
Afrimi i Slonina, paralajmërim për largimin e Kepa
Slonina do të jetë portieri që do të garojë me Mendy për të qenë në të ardhmen e afërt ai që do t'ia rrezikojë pozitën e titullarit.
Ndërkohë, gjithë kjo lëvizje nënkupton se Kepa është drejt largimit. Napoli është skuadra më e interesuar për ta marrë në gjirin e vet portierin spanjoll.
Raportet mes klubeve janë të mrekullueshme, por njëri ndër problemet më të mëdha besohet të jetë paga e lartë që portieri 27-vjeç inkason te klubi anglez. Kërkesë e qartë e Napolit është që ai ta reduktojë pagën, nëse dëshiron t'i bashkohet atyre.
Kepa përfiton afro 9 milionë euro në vit. Një shumë të tillë parash as për së afërmi nuk e përfiton qoftë edhe një lojtar i vetëm i Napolit. Kësisoj, kjo do të jetë pengesa kryesore për t'u kapërcyer, para se ai potencialisht t'i bashkohet ekipit të udhëhequr nga Spalletti.


