Blendi Idrizi nga Schalke e Bundesligës në kategorinë e dytë të futbollit gjerman
Mesfushori i Kombëtares së Kosovës në Futboll, Blendi Idrizi, ka kaluar në huazim te skuadra e kategorisë së dytë të futbollit gjerman, Regensburg nga Schalke 04.
24-vjeçari ka kontratë deri në verën e vitit 2024 me skuadrën e cila këtë sezon u promovua në elitën e futbollit gjerman, vetëm pas një viti qëndrim në kategorinë e dytë.
Të dy palët kanë rënë dakord që detajet financiare të marrëveshjes mos të publikohen.
ℹ️ Blendi Idrizi has joined @SSVJAHN on a season-long loan.
— FC Schalke 04 (@s04_en) August 30, 2022
All the best, Blendi! 👊#S04
Regensburg është skuadër nga Bayerni dhe bënë gara në Bundesliga 2, ku momentalisht gjendet në pozitën e 13-të kur janë zhvilluar gjashtë takime, me shtatë pikë të grumbulluara.
Për faqen zyrtare të Schalkes ka folur drejtori sportiv, i cili tha se Blendi është një lojtar me potencial, i cili kaloi nga U-23 në ekipin parë dhe i ndihmoi skuadrës në promovimin në Bundesliga 1.
“Blendi është lojtar i ri me shumë potencial, i cili bëri kalimin nga U-23 në skuadrën e parë dhe ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës për promovimin e skuadrës në elitën e futbollit gjerman. Ai mund ta rrisë vlerën e tij në muajt e ardhshëm në Regensburg, kështu që mund të zhvillohet. I urojmë Blendit më të mirën dhe shumë suksese në sezonin në vazhdim”, thotë Rouven Schroder – drejtor sportiv.
Mesfushori foli fjalët e para si lojtar i skuadrës së Regensburgut, duke u ndjerë i lumtur që ka kaluar në një skuadër si kjo.
"Jam i lumtur që jam këtu dhe tani dua të filloj sa më shpejt."
Ai e njeh këtë skuadër nga sezoni i kaluar ku u ballafaqua në duelet me Schalken dhe ka ende kujtime të mira. “Ne humbëm 4-1 në Regensburg dhe ishte gjithashtu një lojë shumë e vështirë kundër Schalkes. Der Jahn është gjithmonë një kundërshtar i keq, i cili punon shumë dhe ku çdo lojtar është me këmbë në tokë”, thotë ai.
Blendi kërkon që të luajë dhe të zhvillohet më shumë në skuadrën e Regensburgut.
"Unë dua të zhvillohem më tej kudo. Kam akoma shumë përpara, dua të fitoj përvojë. Të ushtroj në Jahn dhe ndihmoj ekipin me gola dhe asistime.”
Willkommen in Regensburg, Blendi Idrizi 💥⚪🔴 Der offensive Mittelfeldspieler kommt für ein Jahr per Leihe von @s04 in die Oberpfalz ✍️ Alle Infos zur Verpflichtung ℹ️ #miaspuinfiaeich #Idrizi2023⬇️https://t.co/LsZTPUOJsw
— SSV Jahn Regensburg (@SSVJAHN) August 30, 2022
Karriera e Blendit ndër vite
Idrizi hapat e parë në futbollin profesionist i nisi në Friesdorf, përpara se të kalonte te skuadra e ligës rajonale, Alemannia Aachen në sezonin 2019/20.
Pas vetëm gjashtë muaj të kaluar në Alemannia, ai kaloi te rivali në ligë, Fortuna Koln, përpara se lojtari i lindur në Koln të kalonte në skuadrën rezervë të Schalkes në janar të vitit 2020.
Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës u paraqit në 36 ndeshje për skuadrën e Schalkes U-23, pastaj 24-vjeçari pas paraqitjeve të mira u shpërblye me kontratë profesionale dhe u paraqit në 22 ndeshje në kategorinë e dytë, duke shënuar një gol.
Idrizi është pjesë e Kosovës që nga viti 2019, kur u paraqit me gjeneratën U-21, pastaj në vitin 2021 debutoi me skuadrën e parë të Kombëtares, duke zhvilluar gjashtë ndeshje, ku tri ndeshje i ka zhvilluar me karakter garues ndërsa tri të tjera ishin ndeshje miqësore.

