Blendi Idrizi shënoi pikën e kthesës në fitoren e Schalkes - NACIONALE

Blendi Idrizi shënoi pikën e kthesës në fitoren e Schalkes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rasti i Blendi Idrizit në fitoren e Schalkes 1:2 përballë Sandhausenit në udhëtim, është dëshmia më e mirë se si mund të kesh impakt vendimtar në ndeshje, ndonëse duke u kyçur nga pjesa e dytë. Një gjë të tillë e demonstroi mesfushori i kombëtares kosovare Idrizi. Ai, me vetëm 29 minuta në fushë, ndihmoi Schalken që ta shënonte një pikë kthese në rezultat, duke e bërë të mundur që të jetë akoma ëndërrimtare për ta shënuar afrimin drejt synimit që ia kanë vendosur vetes në fillim të kampionatit: rikthimin në Bundesliga I. Pak minuta, shumë impakt - përmbledhurazi kështu do ta pasqyroja paraqitjen e tij që e ndoqa me kujdes. Për këtë arsye, duke ditur edhe peshën e rezultatit për skuadrën, atij i takon epiteti i dardanit të javës.

Fillimisht, duhet saktësuar fakti që për Blendi Idrizin edicioni i sivjem 2021/2022 është i pari në petkun e lojtarit senior. Ai në masë të madhe gjatë sezonit paraprak kishte luajtur me juniorët e Schalkes, ndërsa në Bundesliga I kishte numëruar 2 paraqitje, ku mes tjerash një herë ishte futur edhe në listën e golashënuesve. I freskët nga rinovimi i fundit i kontratës, të cilën e ka zgjatur për një vit shtesë [nga 2023 në 2024], Idrizi po bën gradualisht hapat e radhës drejt formësimit dhe zhvillimit të tij si lojtar profesionist.

Përcaktues në fushë

Në fitoren e së premtës, Idrizi u inkuadrua në lojë në minutën e 67-të, kur rezultati ishte i ngrirë në shifrat 0:0, pa mundur që skuadrat të zhbllokoheshin.

Trajneri gjerman i skuadrës nga Gelsenkirchen vendosi që ta inkuadrojë mesfushorin dardan në vend të fantazistit Zalazar. Idrizit iu dha direktiva që të luajë si mesfushor anësor i djathtë në sistemin 4-4-2. Për dikë që e ka ndjekur me kujdes Idrizin hap pas hapi në karrierë, nuk ishte ndonjë risi e madhe ky pozicionim, pasi një gjë të tillë e praktonte heraherës edhe gjatë sezonit të kaluar me ekipin junior. Me një rotacion të thjeshtë, kësisoj ai alternoi pozitat me Churlinov, ku ky i fundit kaloi në krahun e majtë, ndryshe nga fillimi kur filloi ndeshjen në krahun e djathtë.

Një potez i tillë doli të jetë përcaktues, ngase ndryshoi dinamikën e lojës. Pas katër minutash që prej hyrjes në lojë të Idrizit, erdhi goli i epërsisë për mysafirët.


Menjëherë u vu re kimia e përsosur mes Churlinov dhe Blendi Idrizit. Ky i pari në minutën e 71-të ngriti dorën lart duke e kërkuar topin nga Idrizi, i cili ishte në pronësi të tij nga ana e djathtë e fushës. Mbrojtja e Sandhausen ishte e shthurrur. Idrizi me ta ngritur kokën, vendosi ta bëjë një pasim tokazi në formë diagonale. Topi kaloi në mesin e këmbëve të Bulter, i cili me një gjysmë fintë mashtruese pa top, hutoi mbrojtësin e krahut të djathtë të Sandhausen, Diekmeier, duke i lënë korridor të lirë për ta pranuar topin bashkëlojtarit Churlinov.

Gjithçka shkoi sipas planit, me këtë këtë të parin që goditi dhe pastaj me topin e kthyer nga portieri, shënoi nga afërsia Terodde, për të vulosur epërsinë prej 0:1.

Me pak fjalë, Blendi Idrizi tregoi zgjuarsinë e duhur, që në kohën optimale ta bënte ndryshimin e kahjes së lojës, duke i dhënë mundësi skuadrës që të rrezikonte, me ç'rast aksioni u finalizua me gol.

Diekmeier e përmirësoi gabimin e bërë më herët pas 12 minutave, kur nga afërsia mposhti portierin e Schalkes, pas një tollovie të krijuar në zonë të rreptësisë.

Për një moment Schalke pa veten duke iu ndërlikuar gjërat në raport me ambicien kryesore, atë të ngjitjes në Bundesligë.

Gjithsesi, lojtari dardan, Blendi Idrizi, prapë u tregua në nivel të detyrës dhe përcaktues. Kur po zhvillohej minuta e 91-të e ndeshjes, ai fitoi topin ndaj Okorojit në gjysmë fushën kundërshtare, me topin që përfundoi në këmbët e Churlinov. Schalke papritmas u gjend në një pozitë 4 kundër 3. Sërish u konfirmua kimia e mirë mes të dyve, me Churlinov që nuk e vonoi pasimin në drejtim të Idrizit, i cili kishte një hapësirë të zbrazur për ta sulmuar në brendi të zonës.

Qendërmbrojtësi i Sandhausen, Zhirov, u përpoq që me ndërhyrje zhagas t'ia largonte topin, por diçka e tillë i shkoi huq, pasi Idrizi shkoi deri në fund dhe pasoi topin në drejtim të qendrës, ku përsëri shënoi kapiteni Terodde, duke ia rikthyer epërsinë Schalkes, për t'i çmendur mijëra tifozë të kësaj skuadre që kishin udhëtuar në Baden-Württemberg për ta parë ndeshjen.

Kështu edhe përfundoi ndeshja, me rezultatin 1:2.

Si rikapitullim, inkuadrimi në lojë i Idrizit ndihmoi skuadrën që t'i gjente golat dhe ai përfshi në të dy rastet kur Schalke shënoi.

Dhe, mund të thuhet që nuk ishin gola të çfarëdo pesheje, meqë po flasim për një vlerë të madhe, me Schalken që tani kur mungojnë edhe dy ndeshje për t'u luajtur deri në përfundim të kampionatit, është një hap pranë për ta siguruar plasmanin në Bundesligë, meqë ka kapital prej dy pikësh karshi ndjekësve. Jo shumë kontakte me topin, sepse minutat në fushë i kishte jo të mëdha, por në çdo rast bëri lëvizje konkrete. T

Blendi Idrizi deri më tani në kampionat ka zhvilluar 20 paraqitje, duke regjistruar 1 gol dhe 3 asiste. Periudha më e mirë e formës së tij ka qenë nga dhjetori deri në shkurt, ku është aktivizuar si titullar konstantshmërisht. Në pjesët tjera të sezonit është alternuar në formacion. Për të ka qenë disfavorizues ndryshimi në stafin teknik që ka bërë klubi gjatë muajit mars, me largimin e trajnerit grek, Dimitrios Grammozis dhe ardhjen e Michael Buskens. Trajneri grek shihte në 23-vjeçarin kosovar një potencial joshës, duke e inkorporuar në skemat e tij, gjegjësisht në modulin 3-5-2, për të luajtur në qendër të mesfushës. Ndërkaq, prej që është zyrtarizuar trajneri gjerman Buskens, minutazhi i tij është reduktuar, pasi nuk po preferohet momentalisht që t'i nisë ndeshjet nga minuta e parë, marrë parasysh edhe sistemin e lojës që evoluoi, duke kaluar në mbrojtjen me 4 dhe vendosjen 4-4-2.

Tani mbetet akoma për t'u parë se në cilin rol Buskens do ta shohë më të përshtatshëm Idrizin për të luajtur.

Lajme të ngjashme