Idrizi lartëson Kosovën para gjermanëve: Gjithmonë e kam ndjekur kombëtaren para ekranit - si lojtar jeton për këto ndjesi - NACIONALE

Idrizi lartëson Kosovën para gjermanëve: Gjithmonë e kam ndjekur kombëtaren para ekranit - si lojtar jeton për këto ndjesi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori dardan 24-vjeç dardan, Blendi Idrizi, ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit të tij, Schalke. Idrizi ka folur në 360 shkallë për karrierën e tij. Ai ndër të tjera është pyetur edhe rreth ndjenjës e të përfaqësuarit të Kosovës.

Për Blendi Idrizin edicioni i sivjem 2021/2022 është i pari në petkun e lojtarit senior. Ai në masë të madhe gjatë sezonit paraprak kishte luajtur me juniorët e Schalkes, ndërsa në Bundesliga I kishte numëruar 2 paraqitje, ku mes tjerash një herë ishte futur edhe në listën e golashënuesve. I freskët nga rinovimi i fundit i kontratës, të cilën e ka zgjatur për një vit shtesë [nga 2023 në 2024], Idrizi po bën gradualisht hapat e radhës drejt formësimit dhe zhvillimit të tij si lojtar profesionist.

Ai është një hap afër që me skuadrën e tij të rikthehen në Bundesliga I, pasi momentalisht udhëheqin në kampionatin e Bundesliga II, ndonëse me një epërsi të ngushtë, kur mungojnë edhe dy xhiro deri në përfundim të sezonit. Sot, Schalke do të luajë në përballjen direkte ndaj St. Paulit të Leart Paqaradës. Me një fitore të radhës, ata do të mund ta blindonin pozitën e parë, për të rrugëtuar drejt ngjitjes në kategorinë e parë gjermane një javë më herët para mbylljes së kampionatit.

Idrizi ishte pjesë e kombëtares dardane të shpresave, kur ajo drejtohej nga Rafet Prekazi. Te grupmosha U21, 24-vjeçari kishte zhvilluar tre paraqitje. Mirëpo, pasi filloi të afirmohej hap pas hapi edhe te klubi senior i Schalkes, Bernard Challandes, përzgjedhës i Kosovës atëbotë, vendosi që ta ftonte në miqësoret që Kosova i luajti në qershor të vitit të kaluar. Prej asaj periudhe, ai numëron katër paraqitje me dardanët.

"Njësoj sikurse me Schalken më herët, gjithçka ka rrjedhur shumë shpejt. Pak para ndeshjes përballë Frankfurt, më ka kontaktuar përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, duke më ftuar për dy ndeshjet miqësore ndaj San Marinos dhe Maltës. Më herët e ndiqja gjithmonë Kosovën nga ekrani dhe pastaj, papritmas, e gjeta veten në fushë të blertë duke përfaqësuar vendin tim. Si lojtar jeton për storje të tilla", deklaroi Idrizi.

Karriera e tij në ngritje te Schalke

Gjatë intervistës Blendi Idrizi ka kujtuar ndër të tjera edhe momentin e debutimit të tij në skuadrën e parë të Schalkes, ku ka treguar edhe prapaskenat rreth përjetimit të atij momenti që ka ndryshuar trasenë e karrierës së tij si futbollist profesionist.

"Çfarë dite ishte ajo! Kur ngrëmë mëngjes, erdhi Dimitrios Grammozis [ish-trajner i Schalke] dhe mu afrua, ku rastësisht më pyeti: 'do të dëshiroje të luaje sot [duke qeshur]?'
Natyrisht që dëshiroja, por një lajm i tillë më gëzoi shumë. Ishte ora 09:00 e mëngjesit. Ndeshja zhvillohej në mbrëmje. Në mesditë dëshiroja të shkoja për të fjetur, por ishte e pamundur.

"Në vend të kësaj, zgjodha që t'i thërrisja prindërit e mi dhe u tregova menjëherë atyre rreth debutimit tim. Pjesën tjetër nuk e mbaj mend", nënvizoi Idrizi.

Blendi Idrizi deri më tani në kampionat ka zhvilluar 20 paraqitje, duke regjistruar 1 gol dhe 3 asiste. Periudha më e mirë e formës së tij ka qenë nga dhjetori deri në shkurt, ku është aktivizuar si titullar konstantshmërisht. Në pjesët tjera të sezonit është alternuar në formacion. Për të ka qenë disfavorizues ndryshimi në stafin teknik që ka bërë klubi gjatë muajit mars, me largimin e trajnerit grek, Dimitrios Grammozis dhe ardhjen e Michael Buskens. Trajneri grek shihte në 23-vjeçarin kosovar një potencial joshës, duke e inkorporuar në skemat e tij, gjegjësisht në modulin 3-5-2, për të luajtur në qendër të mesfushës. Ndërkaq, prej që është zyrtarizuar trajneri gjerman Buskens, minutazhi i tij është reduktuar, pasi nuk po preferohet momentalisht që t'i nisë ndeshjet nga minuta e parë, marrë parasysh edhe sistemin e lojës që evoluoi, duke kaluar në mbrojtjen me 4 dhe vendosjen 4-4-2.

Tani mbetet akoma për t'u parë se në cilin rol Buskens do ta shohë më të përshtatshëm Idrizin për të luajtur.


Lajme të ngjashme