Blatter dhe Platini shpallen të pafajshëm për korrupsion dhe mashtrim - NACIONALE

Blatter dhe Platini shpallen të pafajshëm për korrupsion dhe mashtrim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sepp Blatter dhe Michel Platini janë shpallur të pafajshëm për akuzat për mashtrim në një gjykatë zvicerane.

Ata, dikur dy figurat më të fuqishme të futbollit, u liruan nga akuzat për aranzhimin e jashtëligjshëm të një pagesë në vlerë prej dy milionë frangave zvicerane në vitin 2011.

Në atë kohë, Platini ishte president i UEFA-s dhe zëvendëspresident i FIFA-s dhe pritej ta pasonte Blatterin si president të FIFA-s, organit qeverisës së futbollit botëror.

Pagesa e bërë për Platinin për shërbime këshillëdhënëse në mandatin e parë të Blatterit në krye të FIFA-s, nga viti 1998 deri më 2002, ishte autorizuar nga vetë Blatteri në janar të vitit 2011 por në fund ua mbaroi të dyve karrierat në futboll.

Prokurorët zviceranë kishin thënë se pagesa ishte bërë pa asnjë bazë ligjore dhe se e kishte pasuruar Platinin kundërligjshëm, por gjykatësi i shpalli të pafajshëm ata.

Gjykimi i tyre 11 ditor për pagesën e vitit 2011 u mbajt në Gjykatën Federate për Krime në Bellinzona, Zvicër, dhe mbaroi më 22 qershor.

Platinit do t’i kthehen dy milionë frangat zvicerane tani.

Komiteti për Etikë i FIFA-s ua ndaloi futbollin atyre dhe i përjashtoi nga postet. Blatter dhe Platini u ankuan pasuksesshëm ndaj këtij vendimi në Komitetin e Ankesave dhe më vonë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Kur mbërriti në gjykatë të premten, Blatter tha: “Unë nuk jam i pafajshëm në jetën time, por në këtë rast jam i pafajshëm”.

Platini ka thënë se do t’i ndjekë “ata” që e ngritën këtë çështje kundër tij.

“Jam shumë i lumtur për më të dashurit e mi tani që drejtësia më në fund është vendosur, pas plot shtatë viteve gënjeshtra e manipulime. E vërteta është zbardhur gjatë këtij gjykimi dhe unë i falënderoj thellësisht gjykatësit për vendimin e tyre të pavarur”, tha Platini pas përfundimit të gjykimit ndaj tij.

“E kam thënë se do të luftoj kundër padrejtësisë. E fitova lojën e parë. Në këtë rast, ka fajtorë që nuk u shfaqën në këtë gjykim. Le ta dinë ata se ne do të takohemi sërish, sepse unë nuk do të heq dorë dhe do të shkoj deri në fund në kërkim të së vërtetës”.

Lajme të ngjashme