Liburn Aliu del nga Prokuroria Speciale pasi u intervistua për rreth 4 orë si i dyshuar, për keqperdorimin e miliona eurove - NACIONALE

Liburn Aliu del nga Prokuroria Speciale pasi u intervistua për rreth 4 orë si i dyshuar, për keqperdorimin e miliona eurove

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu, ka folur pasi ka dalë nga Prokuroria Speciale, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për plot katër (4) orë.

Aliu ka thënë se e sheh si lehtësim faktin që, pas dy vitesh heshtje, ka pasur mundësi të paraqesë sqarimet e tij para Prokurorisë lidhur me pretendimet dhe akuzat ndaj tij.

“Është lehtësi që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me e marrë dhe me e sqaru situatën para Prokurorisë për të gjitha sulmet dhe pretendimet ndaj meje, të cilat kanë degraduar aq shumë, por që unë jam përgjigjur me heshtje. Pata mundësi me e sqaru për gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepruar në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim që mund të më ndërlidhë mua me këtë proces, për pretendimin për mosveprim. I tërë rasti ka qenë i audituar nga ZKA-ja, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të tyre”, tha ndër të tjera Aliu.

Gjithashtu ka folur edhe avokati i ish-ministrit Liburn Aliu, Artan Çerkimi, ka treguar se sot klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Para gazetarëve, ai ka thënë se Aliu ka kontribuuar në mënyrë substanciale që të zbardhet rasti për të cilin është intervistuar.

Sipas tij, ish-ministri i ka dhënë të gjitha shpjegimet për përgjegjësitë e tij.

Z. Aliu i është përgjigjur ftesës së prokurorisë pa asnjë hezitim. I ka dhënë të gjitha shpjegimet për funksionin e tij si ministër, të gjitha përgjegjësitë që i ka pasur në lidhje me pretendimet e ngritura. Mendoj se ka kontribuuar në mënyrë substaciale që kjo çështje të zbardhet”, ka thënë Çerkini

Dyshimet

Vitin e kaluar Prokuroria Speciale kishte marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit.

Gazeta Nacionale kishte siguruar aktvendimin, ku tregoheshin për dyshimet e prokurorisë ndaj Aliut.

Sipas dokumentit që aso kohe kishte siguruar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kungërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t'i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ai dyshohet se ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.

Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për t'i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik t'u zvogëlohen borxhet.

Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Ministri Aliu i ka shkakatuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.

Lajme të ngjashme