Bernardo Silva shpjegon pse s’iu bashkua Barcelonës - NACIONALE

Bernardo Silva shpjegon pse s’iu bashkua Barcelonës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bernardo Silva ka zbuluar se vendosi të qëndrojë në Manchester City për shkak se klubi nuk kishte pranuar më shumë se një ofertë për të dhe se ajo kishte ardhur tepër vonë.

Për mesfushorin portugez u përfol gjatë gjithë afatit kalimtar të verës – i cili u mbyll dje më 1 shtator – se do t’i bashkohet Barcelonës apo Paris Saint-Germainit.

Por Bernardo tha se oferta e vetme që kampioni në fuqi i Premierligës e mori erdhi krejt në fund të afatit kalimtar dhe se atëherë ishte tepër vonë që ajo të pranohej.

“Ky (City) është njëri prej mbase tri klubeve më të mira në botë tani dhe nuk mund të jem më mirë se kaq këtu. Pra ky është klubi në të cilin dua të jem dhe jam i lumtur”, tha Silva.

Ai shtoi: “Nuk ishte vendim i vështirë për mua, sepse nuk kishte oferta për mua. Pati vetëm një ofertë nga një ekip, asgjë më shumë se kaq, prandaj ishte shumë e lehtë për mua dhe për klubin sepse oferta e vetme që morën erdhi shumë vonë, që nënkupton se nuk do të kishte qenë e lehtë për klubin të gjente një zëvendësues për mua”.

Pep Guardiola tani do ta ketë në dispozicion yllin e mesfushës, i cili ishte titullar në tri ndeshjet e fundit të Manchester Cityt, duke e shënuar një gol dhe duke e dhuruar një asist.

Silva është shprehur i lumtur që do të vazhdojë të punojë nën urdhrat e trajnerit spanjoll në Etihad, nga i cili thotë të ketë mësuar shumë deri tani.

Përfaqësuesi i Portugalisë, 28 vjeç, iu bashkua Cityt në vitin 2017 nga Monaco dhe marrëveshja e tanishme me klubin i mbaron në verën e vitit 2025.

Gjatë pesë viteve në Etihad, Silva i ka fituar katër tituj në Premierligë dhe shpreson se do ta fitojë edhe të pestin këtë sezon.

City i ka fituar katër prej pesë ndeshjeve të para në Premierligë deri tani këtë sezon dhe në fundjavë do të përballet me Aston Villën.

Lajme të ngjashme