De Bruyne nuk brengoset për largimin e Bernardos, thotë se ai do të qëndrojë te Man City
Ylli i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne, thotë se pret që Bernardo Silva të qëndrojë te qytetarët, pavarësisht interesimit të Barcelonës për të. Edhe pse katalanasit po kanë probleme të mëdha financiare, ata janë shfaqur shumë të interesuar për të nënshkruar me portugezin në këtë afat kalimtar.
Edhe trajneri spanjoll i Cityt, Pep Guardiola ka insistuar se e dëshiron qëndrimin e Silvas në skuadër, por gjithashtu ka thënë se nuk mund t’i jap garanci asnjë lojtari, kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përmbyllje të afatit kalimtar veror.
Bernardo Silva hyri në lojë në minutën e 65-të të ndeshjes ndaj Bournemouth, në fitoren 4:0, dhe u duartrokit nga gjithë stadiumi në fund pas përfundimit kur doli i fundit nga fusha e lojës.
De Bruyne për Bernardon
28-vjeçarit iu bë një pritje mjaftë e mirë nga tifozët me të hyrë në fushën e lojës, me emrin e tij që dëgjohej në të gjithë Etihad Stadium, dhe De Bruyne thotë se dashuria që merr nga tifozët përputhet me atë të shokëve të skuadrës.
“Ai e dinë, mendoj se ai është shumë i dashur nga të gjithë këtu. Në mënyrën se si e shoh unë, mendoj se ai do të qëndrojë, pra nuk ka asgjë për t’u brengosur.”

Tutje mesfushori belg për portugezin tha se çfarëdo që të ndodhë ai mbetet lojtar i madh dhe shpreson të jetë së paku edhe këtë vit me skuadrën e Cityt.
“Çfarëdo që të ndodhë, ai është shumë i mirë për ne dhe pres që të jetë në mesin tonë edhe këtë vit.”
A great performance from the team and a fantastic atmosphere! I would also like to thank everyone at the stadium for those beautiful moments of love and support you guys showed me 💙 pic.twitter.com/H6OWz2Oh4b
— Bernardo Silva (@BernardoCSilva) August 14, 2022
De Bruyne ylli i ndeshjes ndaj Bournemouth
Mesfushori belg pati një paraqitje mbresëlënëse në fitoren 4:0 të Cityt ndaj Bournemouth, që i dërgoi qytetarët sërish në krye të tabelës së Premierligës.
Ndërsa, Erling Haaland pati vetëm tetë prekje për aq minuta sa luajti dhe bëri vetëm dy pasime në debutimin e tij në shtëpi, një nga pasimet ishte asistimi për golin e Ilkay Gundogan.

“Nëse ai nuk shënon gol të gjithë do të flasin, por ai asistoi për golin e parë, pati shanse dhe më e rëndësishmja është në rrjedhën e lojës. Na ndihmoi ne që të krijonim raste. Ai bëri çfarë u nevojit të bënte dhe në ndeshjet tjera ai do ta gjejë golin – është gjithçka mirë për mua”, thotë De Bruyne për sulmuesin norvegjez.
Ai tutje shtoi se në këtë sistem është problem të jesh pika kryesore, ku në skuadër ka 11 lojtarë që shpërndajnë topin gjatë gjithë kohës.
“Sigurisht që të jesh pika kryesore në këtë sistem është paksa problem. Ne jemi 11 lojtarë në fushë që shpërndajmë topin, sidoqoftë prekjet e tij janë shumë të rrezikshme. Nuk të duhet shumë prekje që të jesh i rrezikshëm, ai e ndihmon skuadrën në shumë aspekte. Ai ndihmon e gjithashtu asiston për skuadrën”, tha për fund fantazisti belg.

