Benitez: Inter dhe Juventus janë më superiorë sesa Milan
Rafa Benitez në një intervistë dhënë Gazzettës Dello Sport, për numrin e saj të sotëm, është deklaruar rreth garës për titull, ku Interin dhe Juventusin i ka vlerësuar si skuadrat më të kompletuara.
Sezoni i ri në Serie A fillon nga kjo fundjavë. Milan është kampion në fuqi, por jo për gjithkë cilësohet si pretendenti kryesor për ta mbrojtur titullin kampion.
I një mendimi të tillë është edhe Rafa Benitez, ish-trajneri i skuadrave italiane si Inter dhe Napoli. Për shkak të investimeve që kanë bërë Juventusi dhe Interi, si dhe alternativave më të mëdha që kanë në gatishmëri, vlerësohen më shumë në garën për titull.
Sigurisht, edhe Milan nuk përjashtohet nga ky ekuacion. Dhe, jo vetëm ai. Në intervistën dhënë për Gazzetta Dello Sport, trajneri spanjoll, Rafa Benitez, vlerëson lart edhe Romën.
Superioriteti i Juventusit dhe Interit karshi Milanit, sipas Benitez
Edhe gjatë sezonit të kaluar flitej e njëjta gjë, që Milan kishte diçka më pak për nga cilësia sesa Inter dhe Juventus. Por, sezoni dëshmoi të kundërten, me "kuqezinjtë" që fituan titullin.
"Inter dhe Juventus janë në rreshtin e parë në garën për titull. Milani mbetet solid. E pamundshme të mos i konsiderosh në këtë garë edhe kampionët në fuqi, por për momentin dy të tjerat janë më superiore", shpjegoi Benitez.
Në vazhdim të intervistës së tij, Benitez ka treguar se çfarë e shtyn atë që të mendojë një gjë të tillë.
"I admiroj përforcimet e Juventusit, si Di Maria dhe Bremer. Mirëpo, vëmendje edhe Napolit", nënvizoi ai.
Edhe Benitez njësoj si shumë të tjerë ka çmuar organizimin e Romës, duke thënë se po e bën gati një skuadër shumë të mirë.
"Sa e bukur kjo Romë. Me përforcimet e reja, besoj që Mourinho e ka detyrim të luftojë për titull", përfundoi ai.
Baste të mëdha janë vënë në Itali duke e favorizuar Romën në garën për titull. Dybala dhe Wijnaldum i kanë dhënë një eufori të madhe ambientit kryeqytetas. Sidoqoftë, edhe në këtë sezon do të jetë shumëçka e luftuar. Njësoj supozohet që do të jetë edhe lufta për top-katërshen, me klube të shumta që do të aspirojnë që ta zënë një vend për në zonën e Ligës së Kampionëve.
Në anën tjetër, Rafa Benitez mbetet trajner i lirë, pasi u shkarkua nga Everton gjatë janarit të këtij viti, duke u zëvendësuar me Frank Lampard. Ai njihet si një trajner me përvojë të gjatë në shumë kampionate të ndryshme, nga La Liga, në Serie A dhe Premierligë.

