Lukaku: S’më intereson tabela e golashënuesve, por vetëm titulli kampion
Romelu Lukaku ka qenë afrimi më i bujshëm i Interit gjatë afatit kalimtar të verës. Rikthimi i tij te skuadra zikaltër, ka bërë që të rriten edhe apetitet e skuadrës për sezonin e ri.
Titulli i fundit që përfundoi te Milan, ka mobilizar tej mase Interin para fillimit të sezonit të ri. Ndonëse klubi po vazhdon të vë në pah disa probleme financiare, të trashëguara me vite të tëra, prapëseprapë është në përpjekje që ta ketë një organikë sa më konkuruese.
Romelu Lukaku llogaritet si garanci në këtë aspekt, pasi me përvojën që ka, bën të jetë pikë referimi për skuadrën, ashtu siç ishte para një viti kur Inter u stolis me titullin kampion.
Anipse golat që ishim mësuar t’i shihnim nga Lukaku kanë qenë numerikisht të mëdhenj, ai dëshiron që kontributi i tij tek Inter të mos shihet si përpjekje e shfrenuar nga ai për ta arritur të qenit golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Titulli më i rëndësishëm sesa gara për golashënuesin më të mirë
Për Romelu Lukaku synim parësor dhe i vetëm mbetet rikthimi i titullit të Serie A në vitrinën e klubit. Ai një gjë të tillë e bëri të ditur për mediumin italian, DAZN.
“Mua nuk më intereson për tabelën e golashënuesve më të mirë. Këtë jua them shumë sinqerisht. Unë mendoj vetëm për titullin kampion. Po, golat do të vijnë. Por, jemi në Inter. Këtu luhet për ta fituar titullin dhe jo për gjërat individuale”, potencoi ai.
Mëtutje, ai foli edhe rreth presionit nëse e ndjen, ku nuk ngurroi që të japë një përgjigje interesante në lidhje me këtë çështje.
“Presionin e ke në stërvitje, sepse çdo lojtar provon gjithmonë. Ky është presioni më i madh, gjërat tjera nuk më interesojnë. Unë jam i koncentruar në atë se çfarë do të bëj në fushë. Nuk e lexoj shtypin. Stërvitem dhe bëj gjithçka tjetër që është në dobi të fitimit të një ndeshjeje. Tekefundit, në fund të ditës duhet të fitojë Inter. Tjerat nuk kanë rëndësi”, ka theksuar ai.
Lukaku mori vendim që të rikthehet në Inter, pas një sezoni dëshpërues që shënoi me Chelsean. Edhe drejtuesit e klubit italian nuk përtoi aspak që të bëjë një ofertë për sulmuesin belg. Edhe negociatat me Chelsean ishin më të lehta sesa që mendohej në fillim. Tani, nga gjiganti belg kërkohet vetëm të japë më të mirën prej vetes që ta rikthejë edhe shkëlqimin e skuadrës, së bashku me sukseset.

