Behrami: Si më drejtuan pistoletën në kokë, shqiponjat kundër Serbisë ishin marrëzi
Pas tri viteve heshtje, Valon Behrami ka folur për jetën e tij të re. Si ra në dashuri me gruan e tij, Laran, si vrasja e të afërmve ndikoi tek ai, pse kurrë nuk do ta falë Petkovicin - kritikoi shqiptarët e Zvicrës që festuan me Shqiponjë kundër Serbisë etj.
Më poshtë, intervista e tij e plotë për "blick".
Ku kanë shkuar flokët e bardha?
Valon Behrami: Kanë ikur. Po ashtu, janë mbuluar të gjitha tatuazhet e mia. Jam 37-vjeç tash dhe jam në fazën tjetër të jetës.
Kur ishte hera e fundit që i mbajte flokët me ngjyrën natyrale?
Mendoj se ishte 20 vite më parë. Pastaj i kisha gjithmonë me ngjyrë - përveç 2009-s, kur këputa ligamentin te ëest Hami. Pas asaj, për shkak të bestytnisë, vendosa që gjithmonë t'i ngjyrosi flokët derisa të pensionohesha nga futbolli. U tërhoqa disa muaj më parë dhe ndalova së ngjyrosuri flokët. Shpëtoj shumë kohë, më herët qëndroja te frizeri për katër orë çdo gjashtë javë.
Edhe veturën e ke më pak spektakolare. Ti dikur ngisje Lamborgini dhe Ferrari, tash erdhe me Range Rover
Po, kam kryer punë me veturat sportive ku je i ulur kaq afër tokës. Kam dhimbje shpine. Njëmend, nuk po tallem.
Pensionimi juaj nga futbolli asnjëherë nuk u komunikua. Një bashkëlojtar i Brescias e tradhtoi në një storie në Instagram
Ai dëshiroi të bënte diçka të mirë dhe bëri gjënë e gabuar.
Si do veproje ti?
Nuk do ta konfirmoja fare pensionimin. Thjesht do të ndaloja. Lara dhe unë kemi fshirë llogaritë në rrjetet sociale pesë vite më parë. Ishte vendimi më i mirë i jetës, kemi shumë më pak stres. Qeshem për vdekje me futbollistët që krejt jetën e vendosin në Instagram dhe pastaj ankohen se po sulmohen dhe se privatësia e tyre duhet të mbrohet. Mënyra për të dalë nga kjo është një klikim larg. Fshij profilin dhe je në paqe.
Por futbollistët gjithashtu garojnë për të parë kush ka më shumë ndjekës
Po, kjo është në rregull po ashtu dhe mund të fitoni diçka nga kjo. Por, nëse është ashtu, merr paratë dhe vëmendjen dhe mbylle gojën.
Nuk ke dhënë intervistë për tri vite, pse?
Sepse nuk doja ta përzieja jetën private me futbollin më. Viti i kaluar në Serie B te Brescia, ishte e tepërt. Më nuk kisha emocione për fansat, për sportin, dhe ndjeja se gjërat tjera janë më të rëndësishme. Një shembull: nëse bijat e mia- i kanë nga 13 dhe 6-vjeç - do të vinin të më vizitonin të premten dhe unë duhesha të shkoja në hotel me skuadrën të shtunën për ndeshjen të dielën, atëherë nuk doja ta bëja këtë. Doja të kaloja kohë me bijat e mia. Nuk ndjeva asgjë për shtatë apo tetë muaj. Isha mentalisht i vdekur. Nuk më interesonte nëse fitonim apo humbnim.
Duket sikur u djege
Jo, jo aspak. Personalisht, isha dhe jam shumë i lumtur. Kishte të bënte vetëm me futbollin, trupi im më nuk ishte i gatshëm për sport top klasi.
Dhe çka bëni tash tërë ditën pas pensionimit?
Shkoj në CrossFit në ora 07:00 të mëngjesit. Si futbollist e kisha problem të zgjohesha edhe në 9, por tash si person civil, është papritur e mundur... dhe tash jam ekspert studioje dhe bashkë komentator për kanalin e Dazn në Itali. Kjo nënkupton se duhet të jem në rrjedha: Shikoj tre apo katër ndeshje në ditë, lexoj, marrë informata. Dhe papritur ndihem se ju gazetarët keni një punë shumë të vështirë (qeshet).
A u preke nga lufta?
U largoava kur isha katër-vjeç. Qava çdo natë për dy muaj. Më mungonin gjyshërit, ishte shumë ftohtë, nuk më pëlqente ushqimi, na dërguan në një hotel refugjatësh.
Si erdhe në Zvicër?
Udhëtuam me autobusin e fundit nga Kosova. Kur e kuptuam se nuk kishte të ardhme. Shtëpia jonë ishte djegur, humbën miq dhe të afërm, një dajë e kisha në burg. Secili prej nesh e ka nga një storie.
Një letër erdhi se ne duhej të largoheshim pas tre muajve. Qava prapë çdo ditë. Dhe pastaj futbolli më ndihmoi. Babai i një futbollisti na ndihmoi dhe grumbulloi 2 mijë nënshkrime në komunitet. Na u lejua të qëndrojmë.
Ju gjithashtu shpaguat vendin me mënyrën si luajte për Kombëtaren
Mendoj se jemi baraz.
Si të ndryshoi jeta kur takove gruan?
Pas disa muajve ne vendosëm të largoheshim nga thashethëmet e internetit. Ishte vendimi më i mirë i jetës tonë.
Tregon storie si iu drejtua pistoleta në kokë
Isha në veturë dhe disa persona po më përcjellnin, gjë të cilën nuk e vura re. E thyen pasqyrën e veturës time, unë e ula xhamin. Pastaj më drejtuan pistoletën në kokë, isha i shokuar. Më morën orën. Pastaj shkova në polici.
A të ndihmoi policia?
Po, u ftova për të identifikuar, si në filma, prapa xhamit. E identifikova atë. Në dy apo tre muajt para gjykimit, ndihesha i kërcënuar nga familja e atij burri. Një ditë shkova te frizeri me bijën time - dhe ata ma vodhën veturën. Pastaj thashë: Dua të largohem nga këtu.
A e ktheve orën dhe veturën?
Po, të gjitha u gjetën përsëri. Sepse isha futbollist i Napolit.
Për ndeshjen kundër Shqipërisë dhe shqiponjat e Xhakës e Shaqirit
Unë ende e urrej këtë temë edhe sot e kësaj dite. Është futboll, jo politikë. Ky gjest nuk ka vend në fushën e futbollit, ishte marrëzi. Ne nuk po luajmë në luftë. Në Kosovë më akuzuan se nuk mora pjesë në gjest. Lojtarët serbë janë miqtë e mi, ata kanë lindur pas luftës. Kjo është arsyeja pse ata thjesht duhet të luajnë futboll në këtë Botëror dhe të injorojnë gjithçka tjetër

