Bayern Munich e fiton derbin bavarez ndaj Augsburgut, afrohet në një pikë me liderin Bayer Leverkusen - NACIONALE

Bayern Munich e fiton derbin bavarez ndaj Augsburgut, afrohet në një pikë me liderin Bayer Leverkusen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bayern Munich ka triumfuar me shumë vështirësi ndaj Augsburg me rezultat 3:2, kështu duke fituar përballjen mes dy skuadrave të Bavarisë, me skuadrën e Thomas Tuchel që tani afrohet në vetëm një pikë me liderin Bayer Leverkusen, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Augsburg si vendas e nisi përballjen më mirë, madje në minutën e 12-të arritën të shënonin me anë të Elvis Rexhbecaj, por goli u anulua pas rishikimit të rastit në VAR, për shkak të pozitës jashtë loje.

Pas këtij rasti, Bayern Munich e ktheu ndeshjen në anën e saj, duke kontrolluar tempon e lojës.

Mesfushori serb me pasaportë gjermane, Aleksander Pavlovic, shënoi golin hapës të takimit, duke çuar në epërsi 1:0 mysafirët në minutën e 23-të.

Kampioni në fuqi i Gjermanisë shënoi edhe një herë deri në fund të pjesës së parë.

Ishte Alphonso Davies që në minutat shtesë gjeti golin për 2:0, pasi u asistua nga Leon Goretzka.

Me të filluar pjesa e dytë, erdhi reagimi i Augsburg. Ishte Demirovic që ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 52-të.

Por shpresa për një rezultat pozitiv për vendasit u shua, kur në skenë doli Harry Kane, që gjashtë minuta më vonë shënoi për 3:1.

Dy penallti u akorduan për vendasit në minutat e fundit të takimit, me të parën që u prit nga Manuel Neuer, teksa në minutat shtesë Demirovic shënoi nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 3:2.

Me këtë rezultat u mbyll takimi, dhe Bayern Munich tani ka një pikë më pak se Bayer Leverkusen, këta të fundit me një ndeshje më pak. Ndërsa Augsburg tani rrezikon pozitën e 12-të ku gjendet momentalisht.

Lajme të ngjashme