Bayern triumfon në Superkupën e Gjermanisë kundër Leipzig, Mane shënon golin e parë me bavarezët - NACIONALE

Bayern triumfon në Superkupën e Gjermanisë kundër Leipzig, Mane shënon golin e parë me bavarezët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bayern arriti ta fitojë një trofe para fillimit të edicionit të ri të Bundesligës, duke triumfuar në Superkupën e Gjermanisë kundër Leipzig me rezultat 3:5.

Ashtu siç pritej, bavarezët fituan përballjen e Superkupës së Gjermanisë kundër Leipzig. Edhe pse kishte disa periudha të ndeshjes që kampionët në fuqi të Bundesligës nuk binden shumë, ata prapëseprapë ia dolën që ta fitojnë trofeun e dhjetë në fjalë në histori të klubit.

Leipzig me raste u përpoq që t'i prishte llogari skuadrës së Nagelsmann, por pa ia dalë me shumë sukses, pasi cilësia fliste qartë në të mirë të ekipit më të trofeshëm gjerman, Bayern.

Kështu, mund të vlerësohet se ky triumf do t'i shërbejë Bayernit që ta nisë me këmbë të mbarë epokën e re, veçmas pas largimit të Lewandowskit dhe afrimeve të lojtarëve si De Ligt dhe Mane.

Pjesa e parë me epërsi të trefishtë të Bayern

Epilogu i ndeshjes u vendos në pjesën e parë. Ishte Bayern që mbizotëroi në fushë, gjersa e gjetin avantazhin.

Epërsia për Bayern erdhi në minutën e 14-të, kur mesfushori i talentuar, Musiala, me një goditje të saktë shënoi, duke tundur portën e kundërshtarëve të Leipzig.

Dominim i Bayern vazhdoi edhe gjatë minutave në vazhdim. Protagonisti kryesor i këtij afati kalimtar në Gjermani, Sadio Mane, ia doli më në fund që ta gjejë golin e parë me skuadrën e re. Ai e finalizoi në minutën e 31-të një aksion të mirëndërtuar.

Edhe pas dy golave të shënuar, sulmet nuk rreshten nga Bayern. Ato vetëm sa erdhën duke u shtuar. Kësisoj, në minutën e 45-të, pak para se skuadrat t'u drejtoheshin zhveshtoreve, erdhi edhe goli i tretë, me mbrojtësin francez, Pavard.

Ringjallja e pamjaftueshme e Leipzig në pjesën e dytë

Pjesa e dytë u karakterizua me një mori golash të shënuar. Këtë e mundësoi edhe ringjallja e Leipzig, i cili nuk u dorëzua deri në fund.

Ishte mbrojtësi gjerman me përvojë, Halstenberg, ai që ngushtoi epërsinë në 1:3. Ky gol erdhi në minutën e 60-të.

Mirëpo, pas gjashtë minutave lojë, këmbëshpejti Gnabry u kundëpërgjigj, duke shënuar golin e radhës për Bayern, për 1:4.

Në këtë moment dukej se gjithçka kishte mbaruar. Por, Leipzig vazhdoi të besonte se mund t'i rikthente shpresat, për ta përmbysur rezultatin.

Kjo shpresë e tyre u shtua kur Nkunku shënoi në minutën e 77-të nga pika e bardhë, pasi Olmo ishte penguar në zonë të rreptësisë, duke çuar shifrat në 2:4.

Bayern humbi në fushë. Ishte i padukshëm. Leipzig filloi të mbizotërojë në lojë. Ky dominim e dha një tjetër efekt, pasi skuadra nikoqire gjeti edhe golin e tretë, duke bërë gjithçka të rihapej. Ishte fantazisti spanjoll 24-vjeçar, Olmo, ai që ndëshkoi Bayernin në minutën e 89-të.

Deri në përfundim të ndeshjes, pati minuta edhe për de Ligt, i cili nuk u vendos si titullar nga Nagelsmann. Ai hyri në fushë nga minuta e 78-të. Në këtë hark kohor, Leipzig vazhdoi që të krijonte disa aksione tjera të rrezikshme, por pa mundur që t'i konkretizonte.

Kur Leizpig ishte i tëri në gjysmëfushën kundërshtare duke u munduar që t'i barazonte shifrat e rezultatit, Sane i ndëshkoi ata me anë të një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 90+8', për ta vulosur rezultatin në 3:5.

Epilogu përfundimtar i buzëqeshi Bayerni, duke fituar me rezultat 3:5, për t'iu gëzuar kësisoj trofeut të dhjetë të Superkupës së Gjermanisë në historinë e klubit.

Lajme të ngjashme