Bayern dhe Lewandowski i japin lamtumirën e fundit njëri-tjetrit, ndahen në paqe - NACIONALE

Bayern dhe Lewandowski i japin lamtumirën e fundit njëri-tjetrit, ndahen në paqe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një storie e gjatë dhe rraskapitëse ishte ajo e transferimit të Robert Lewandowskit te Barcelona. Ujërat u trazuan, me kontestime e kunja mes klubeve.

Plot tetë vjet, Robert Lewandowski ishte pjesë e Bayern. Ai ishte ndoshta figura kryesore e sukseseve të klubit gjerman gjatë këtij harku kohor.

Kur erdhi koha për t'u ndarë dhe për ta zgjedhur një kapitull të ri, gjegjësisht atë të Barcelonës, nuk është se u kapërdi mirë nga drejtuesit e klubit gjerman.

Raportet u acaruan deri në atë masë, aq sa nuk mjaftuan thumbimet mes klubeve, por pati ton të tillë edhe ndërmjet Lewandowskit dhe Bayernit, që dukej i pamundur deri pak më herët, pasi ishin të pandarshëm njëri me tjetrin, duke bërë që tifozë të shumtë bavarezë që të ëndrronin.

Lamtumirë në paqe

Sot, Robert Lewandowski për habinë e shumëkujt, ishte sërish në zyret e Bayern. Ai përshëndeti për herë të fundit bashkëlojtarët e tij të dikurshëm dhe të gjithë drejtuesit e klubit.

Salihamidzic dhe Kahn, si ndër dy figurat kyçe të udhëheqjes së klubit, ishin ata që i uruan mirëseardhje Lewandowskit.

Për shtypin gjerman që të dytë treguan edhe detaje nga ato takime. Salihamidzic pranoi se raportet janë shtensionuar dhe se gjakrat janë ulur.

"Robert ka ardhur në zyrën time për të më përshëndetur dhe kemi folur rreth 15 minuta. Kemi diskutuar për çdo gjë dhe kemi rregulluar gjithçka. Robert ka bërë punë të mirë te Bayern, e cila duhet të kujtohet. Mirëpo, është i vetëdijshëm edhe se sa shumë duhet t'i jetë mirënjohës Bayernit"
, shtoi ai.

Edhe Kahn tregoi rreth prapaskenave të takimit me yllin polak gjatë ditës së sotme.

"Ishte ndjenjë e mirë ta pranoja për vizitë në zyren time Robert Lewandowskin. Kemi folur për gjithçka. Jemi ndarë në raporte të mira dhe do të mbesim në kontakt për të ardhmen. Ajo mes Robert dhe Bayern ishte dhe mbetet një storie e veçantë e suksesit. I dëshirojmë gjithë të mirat te Barcelona"
, përfundoi Kahn.

Robert Lewandowski më 19 korrik u zyrtarizua si lojtar i Barcelonës. Blerja e tij u kushtoi katalonasve 50 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset.
Negociatat kanë qenë të gjata dhe të lodhshme mes të dy klubeve, ku për shumë javë ka mbizotëruar edhe skepticizmi nga ana e gjermanëve që Barcelona nuk do të mund t'i kishte fondet e mjaftueshme për ta paguar kartonin e yllit polak.

Të gjitha këto deklarata dhe qëndrime nxitën një mal reagimesh në Spanjë dhe ndikuan që edhe Lewandowski të futej në mes, duke nxitur me çdo kusht dhënien e lejes për t'iu bashkuar skuadrës së drejtuar nga Xavi.

Lajme të ngjashme