Batatina e mohon se Igor Vukcevic u largua nga Llapi shkaku i një pankarte nacionaliste
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i ka hedhur poshtë pretendimet e mediave malazeze se Igor Vukcevic u largua nga klubi i Podujevës për shkak të gjoja një pankarte nacionalist të tifozëve llapjanë gjatë një ndeshjeje në Ligën e Konferencës.
Batatina e ka pranuar se sulmuesi malazez Vukcevic u largua nga Llapi këtë javë - më pak se një muaj pasi iu bashkua atij nga Kom Podgorica - por jo për arsyet e publikuara në media.
“Jo nuk është ajo arsyeja e largimit”, tha Batatina i pyetur nga Gazeta Nacionale nëse Vukcevic u largua për shkak të pankartës së pretenduar.
Ai shtoi: “Me të ne kemi pasur marrëveshje vetëm për garat evropiane. Në momentin që garat evropiane janë kryer, ai ka qenë i lirë. Për kampionat të Kosovës nuk kam dashur që ai t’ua zë vendin lojtarëve të rinj. Kjo është e tëra. Nuk ka pasur diçka tjetër.”

Mediat malazeze raportuan gjatë ditës së sulmuesi 22-vjeçar u largua gjoja shkaku i pankartës me mbishkrimin “Ju e keni radhën” gjoja e shfaqur nga tifozët e Llapit gjatë barazimit 2:2 me klubin malazez Buducnost të enjten e kaluar në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës.
“Pankarta skandaloze në ndeshjen mes Llapit dhe Buducnostit është arsyeja për largimin e përfaqësuesit malazez Igor Vukcevic nga klubi kosovar”, shkruan gazeta malazeze Cgsport.
Nuk është parë ndonjë dëshmi për një pankartë të tillë, megjithatë.

Llapi u eliminua nga Liga e Konferencës me rezultat të përgjithshëm 4:2, pasi e kishte humbur 2:0 ndeshjen e parë në Podgoricë, pas të cilës klubi kosovar i akuzoi malazezët për thirrje nacionaliste dhe pritje armiqësore.
Prandaj, Llapi vendosi t’i lirojë biletat tej mase, vetëm 1 euro më e lira, si dhe të shpërndajë të tjera falas për shumë tifozë, në përpjekje për ta mbushur stadiumin 13 mijë ulësesh për ndeshjen e kthimit.
Vukcevic, 22 vjeç, iu bashkua Llapit më 25 qershor, duke nënshkruar kontratë trivjeçare, megjithëse Batatina tha për Nacionale të martën se me të kishin marrëveshje vetëm për ndeshjet në garat evropiane.
Vukcevic erdhi nga klubi Kom Podgorica, tek të cilët i kishte shënuar 17 gola në 34 paraqitje, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës sezonin e kaluar.
Qendërsulmuesi zhvilloi vetëm një paraqitje për skuadrën e Batatinës, duke luajtur 15 minuta në ndeshjen kthyese ndaj Buducnost.
