Basketbolli kosovar u njollos nga dhuna dhe fyerjet ndaj simboleve shtetërore në vitin 2022
Viti që po lëmë pas nuk la shije të mirë në basketbollin vendor. Superliga e Kosovës dhe garat e tjera të organizuara nën ombrellën e Federatës së Basketbollit të Kosovës u bënë sinonim i dhunës ndërmjet tifozëve dhe ofendimeve të njëpasnjëshme ndaj simboleve të shtetit.
Fillimisht u përmbyll sezoni 2021/22, ku kampion u shpall Golden Eagle Ylli për herë të dytë me radhë, aq sa ka në tërë historinë e saj, dhe me të drejtë u cilësua si arritje historike për qytetin e Suharekës, duke parë që është një qytet shumë i vogël.
Radha e pushimit erdhi dhe deri në shtator nuk filloi sezoni i ri 2022/23. Hapja e sezonit të ri u manifestua me dhunë, kështu duke vazhduar deri në fund të vitit 2022.
Xhiroja e parë: Prishtina – Peja
Qysh në javën e parë kishte derbi në Superligën e Kosovës, ku u takuan Prishtina – Peja, dy nga skuadrat më të trofeshme në vitet e pasluftës.
Të dy skuadrat dhuruan basketboll të mirë deri në minutat e fundit të takimit, por jo gjithçka përfundoi mirë.
Ishte një ngulitje e Rodney Purvis të Pejës kur në semafor kishin mbetur gjashtë të qindtat e sekondat, që si rrjedhojë të irrituar(pa të drejtë), tifozët e Prishtinës vërshuan parketin për të sulmuar basketbollistët e skuadrës pejane.
Xhiroja e shtatë: Vëllaznimi – Trepça
Një tjetër ngjarje aspak e hijshme ndodhi në qytetin e Gjakovës, në palestrën Shani Nushi, ku po përballeshin Vëllaznimi me Trepçën.
Tashmë është bërë zakon që në ndeshjet në elitën e basketbollit kosovar të intonohet himni kombëtar i Kosovës, por kjo nuk u prit mirë nga skuadra e inkuadruar në Superligë në këtë edicion.
Me të filluar himni i Kosovës, ata filluan ta fishkëllenin dhe ta këndonin zëshëm himnin e Shqipërisë.
Edhe pse një gjest i tillë i bërë do të duhej të shikohej e të merreshin masa për një ofendim ndaj shtetit të Kosovës, kjo nuk u bë nga FBK, e cila dënoi skuadrën gjakovare me një gjobë prej 400 eurosh, ndërsa nuk u mor fare me çështjen e himnit, ndërsa u njoftua se për djegien e flamurit serb u morën masat e duhura. Zaten të gjitha këto parregullsi ndodhin për shkak të paaftësisë së organit drejtues të basketbollit për t’ia dalë në ballë dhunës dhe ofendimeve ndaj shtetit.
Finalja e Superkupës së Kosovës në Basketboll: Prishtina – Trepça
Edhe finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll nuk kaloi pa probleme. Në fakt ky ishte kulmi i të gjitha problemeve.
Nëse në ndeshjet kampionale, organizimi i ndeshjes i takon skuadrave vendase, një natë si kjo do të duhej të organizohej në përpikëri nga FBK, që edhe kësaj radhe dështoi.
Qysh në çerekun e parë u shfaqën shenjat e para të dhunës, ku u hodhën mjete piroteknike në parket, por pas disa paralajmërimeve loja rifilloi, për të mbaruar pjesa e parë.
Me të mbaruar pjesa e parë nisën incidentet e mëdha, me hedhje të karrigeve në parket, e pasur me përleshjen mes dy tifozërive, asaj të Prishtinës, Plisat dhe asaj të Trepçës, Torcida.

Gjatë këtyre ndodhive të lënduar përveç personave të përfshirë në dhunë, mbetën edhe katër zyrtarë policorë, ndërsa ndeshja nuk filloi për më shumë se një orë, deri kur tribunat e zbrazën të tërat.
Nuk kaluan shumë ditë dhe FBK doli me vendime krejtësisht qesharake, duke dënuar të përfshirët me të holla, ndërsa Prishtinën edhe me një ndeshje pa prezencën e tifozëve.
Federata e Basketbollit të Kosovës asnjëherë nuk ka reaguar siç duhet në raport me atë se çfarë ka ndodhur në parket, dhe kjo lënë shumë pak shpresa se gjendja në palestrat kosovare mund të rregullohet edhe gjatë vitit 2023.
*Këto janë vetëm disa nga ngjarjet ku u shfaq dhuna ndërmjet tifozëve dhe ofendimet ndaj shtetit.




